Mbi 80 pjesëtarë të grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku, janë ende në liri. Ndonëse në fillim dyshohej se në këtë sulm ishin përfshirë rreth 30 terroristë të udhëhequr nga Milan Radojiçiq, Ministri Xhelal Sveçla njoftoi të dielën se numri i të përfshirëve ka qenë mbi 90.
Tre terroristë janë vrarë, tre të tjerë janë në paraburgim, derisa të tjerët kanë ikur, mes të cilëve është edhe Radojiçiq, i cili është arrestuar sot në Serbi. Sveçla ka thënë se do të kërkojnë nga Serbia, përmes shteteve aleate, ekstradimin e Radojiçiq dhe të gjithë terroristëve të tjerë.
Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terrorist në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçani. Terroristët vranë rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosën policin Alban Rashiti.
Ditën kur ndodhi sulmi, kryeministri Albin Kurti tha se bëhej fjalë për një grup prej rreth 30 personash të armatosur rëndë.
“Siç thash dhe më herët sulmet mbi policinë tonë janë duke vazhduar. Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet e tona të sigurisë. Pra, janë së paku 30 të tillë. Ata janë që po e sulmojnë policinë tonë edhe pasi që kanë vrarë Afrim Bunjakun e kanë plagosur Alban Rashitin”, deklaroi Kurti, në një konferencë për media ditën e sulmit.
Pas hetimeve të kryera, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi të premten se numri i pjesëtarëve të grupit terrorist është mbi 80.
“Në fillim është menduar se janë diku mes 30 dhe 40 terroristë. Tashmë mund të themi se numri është më i madh, gjë që dëshmon suksesin edhe më të madh të policisë së Kosovës. Policia e Kosovës ka qenë edhe në numër më të vogël, edhe me armatim më të dobët sesa ky grup terrorist, por ia ka dalë që pas humbjes së jetës së rreshterit Afrim Bunjaku, pas përfundimit të kësaj prite, të realizojë gjatë gjithë ditës një betejë të suksesshme – për të cilën po marrim përgëzime nga të gjithë aleatët tanë – dhe ta mundë këtë grup terrorist. Por, numri është i madh. Tash mund të themi se është mbi 80”, deklaroi Sveçla të premten në një intervistë për REL.
Ky numër është rritur edhe më shumë, ku hetimet kanë nxjerrë në pah edhe persona të tjerë të përfshirë. Në një konferencë për media të dielën, Sveçla ka thënë se në këtë sulm janë përfshirë mbi 90.
“Në fillim, ne kemi folur për rreth 30 pjesëtarë të këtij grupi terrorist, tash mund të themi lirisht se janë mbi 90 të ditur që kanë marrë pjesë në këtë sulm”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë për media”, tha Sveçla.
Prej këtij numri, tre terroristë janë vrarë e tre të tjerë janë arrestuar dhe u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Por, ku mbetën rreth 80 terroristët e tjerë dhe si u larguan nga Manastiri i Banjskës?
Një ditë pas sulmit, agjencia e lajmeve “Asociated Press”, publikoi pamje ku shiheshin dhjetëra terroristë duke ikur nga Manastiri i Bansjkës në drejtim të malit. Pas pamjeve të publikuara, u ngritën dyshime se ka pasur negocim për krijimin e një korridori për ikjen e terroristëve që të mos ketë numër të lartë të viktimave.
Këto pretendime janë hedhur poshtë nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai tha se terreni dhe përgatitja e tyre ushtarake u ka ndihmuar terroristëve që të ikin.
“Nuk ka kurrfarë negocimi. Tërheqja e këtyre pjesëtarëve është bërë edhe për shkak të terrenit jashtëzakonisht të rëndë, janë male të larta me shumë vegjetacion. Kjo u ka mundësuar atyre tërheqjen. Por, patjetër edhe përgatitja e tyre ushtarake, ku ata kanë ditë se si t’i gjejnë këto kanale për t’u tërhequr”, tha Sveçla të dielën.
Deklarata e tij është mbështetur edhe nga Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.
“Ne kemi qenë udhëheqës të operacionit dhe asnjë komunikim dhe asnjë tentativë nuk ka pas për negocim për t’i liruar dikujt koridor me u tërheq. Janë dy çështje që ka arritur një numër i madh i tyre me u tërheq. Është terreni i vështirë dhe profesionalizmi i Policisë së Kosovës”, deklaroi Hoxha.
Për udhëheqësin e grupit terrorist, Milan Radojiçiq, dihet se ndodhet në Serbi. Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar sot se ai është arrestuar. Të premten, Radojiçiq mori përgjegjësinë për sulmin terrorist. Edhe për disa terroristë të tjerë, mediat serbe kanë raportuar se po trajtohen në Serbi.
Përfshirja e Radojiçiq në sulmin terrorist u dëshmua në pamjet që publikoi fillimisht Ministri Xhelal Sveçla, ku shihej Radojiçiq bashkë me terroristët te Manastiri i Banjskës.
Sveçla ka bërë me dije se përmes aleatëve, do të kërkojnë që Radojiçiq dhe gjithë terroristët e tjerë t’i dorëzohen drejtësisë në Kosovë.
“Ne do të vazhdojmë ta hetojmë këtë sulm në detaje, t’i identifikojmë të gjithë terroristët që kanë marrë pjesë në këtë sulm, ta hetojmë gjithë hierarkinë e dy organizatave që ne tashmë i kemi shpallur terroriste – Severna Brigada dhe Civilna Zashtita [Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile] – por edhe t’i dokumentojmë lidhjet e drejtpërdrejta me Qeverinë e Serbisë. Në të njëjtën kohë, ne do të kërkojmë nga Serbia – patjetër përmes partnerëve tanë – që të gjithë të plagosurit që kanë arritur të ikin nga Kosova, si dhe ata që kanë ikur pa dëmtime, t’i dorëzohen drejtësisë së Kosovës, duke qenë se vetëm kështu, realisht, mund të sjellim një normalizim të situatës në Kosovë”, ka deklaruar Sveçla.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se informatat preliminare të autoriteteve të Kosovës tregojnë se shumica dërmuese e personave të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit janë ose pjesëtarë të organizatës, Mbrojtja Civile ose të Brigadës Veriore – të dyja të shpallura terroriste në Kosovë, në qershor të këtij viti.
“Ndëshkimi për sulmuesit nënkupton ndëshkimin e Serbisë, e cila e mbështeti financiarisht, ushtarakisht, logjistikisht, politikisht, publikisht, zyrtarisht, atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, por në të njëjtën kohë edhe ekstradimi, dorëzimi i të gjithë atyre, të cilët janë duke u përndjekur, sepse ikën nga vendi i krimit dhe nga shteti ynë”, tha sot Kurti.
Ndryshe, Policia e Kosovës është ende duke kryer hetime në zonën malore të Banjskës. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka thënë se në operacionin e së martës, Policia, përfshirë njësitin special, është në kërkim të armëve.
Megjithatë, ai ka njoftuar se kontrollet e shtëpive në atë zonë nuk janë pjesë e operacionit.
“Sapo i kemi tërhequr njësitet speciale nga Banjska, do të thotë niveli i rrezikut ulet, por na duheshin më shumë njerëz. Nuk është e pazakontë. Po mundohemi ta çojmë aksionin deri në fund, por varet nëse do të gjendet diçka”, ka thënë Elshani për Radion Evropa e Lirë.
Policia e Kosovës ka gjetur sasi të konsiderueshme të armatimit në këtë zonë edhe më 30 shtator.
Në mesin e pajisjeve të gjetura janë përmendur: raketahedhës (zolla), armë të gjata dhe pajisje të tjera ushtarake, si jelekë anti-plumb. Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, zyrtarët policorë kanë ekspozuar edhe granatahedhës, pushkë të shumta automatike, pushkë snajper, automjete ushtarake, eksplozivë, detonatorë, të cilat i kanë gjetur në operacionet e kërkimit në këtë fshat në veri të Kosovës.