Albin Kurti, kryeministër i Kosovës – është pyetur nga gazeta kroate “Veçernji List” nëse gjatë situatës së tensionuar në Veri ka pasur frikë që do të ketë luftë.
Kreu i ekzekutivit kosovar është përgjigjur duke thënë se lufta varet nga Beogradi, por shton se se nuk Kosova nuk ia ka frikën.
Kurti ka deklaruar se mentaliteti i Serbisë dhe Rusisë është i njëjtë – pretendojnë superioritet dhe në momentin që dobësohen behën të rrezikshëm.
Por thotë se rrezikshmëria e tyre nuk kthehet në frikë për Kosovën.
”Kryeministri Kurti: Nëse do të ketë një luftë apo jo, varet nga Beogradi. Në këtë kuptim, situata nuk ndryshon shumë nga tre dekada më parë. Ne jemi këtu për të qenë të kujdesshëm dhe të fortë, por kurrë nuk frikësohemi. Shtetet që kanë një kompleks superioriteti, kur tkurren ose dobësohen, bëhen të rrezikshme. Sërish, Serbia është si Rusia në këtë kuptim. Por rreziku i tyre për ne nuk kthehet në frikë nga ta, por në përpjekje shtesë për zhvillim dhe demokraci”, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur pastaj atë që Kosova është republikë demokratike, duke shtuar se është shënuar edhe progres ekonomik e luftë kundër korrupsionit.
”Kosova është Republikë demokratike, e cila sipas të gjitha organizatave ndërkombëtare është e para në mesin e këtyre gjashtë vendeve në Ballkanin Perëndimor sa i përket sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave, të drejtave të njeriut dhe luftës kundër korrupsionit. Në të njëjtën kohë, përparimin demokratik e shoqëruam me zhvillim ekonomik. Kemi pasur një rritje ekonomike mesatare prej 7.35% të Bruto Produktit Vendor në këto dy vite, eksportet dhe investimet e huaja janë dyfishuar në të njëjtën kohë, kemi shtuar më shumë se një miliard euro në vit në ekonominë tonë, ndërsa para nesh janë nevojitur tre vjet për të arritur një miliard, buxheti i shtetit është 17% më i madh se ai i mëparshmi. Pra, Kosova është një histori e suksesit të dyfishtë, ekonomisë dhe demokracisë, dhe në anën tjetër, ne jemi histori suksesi e ndërhyrjes së NATO-s 24 vjet më parë për të ndalur gjenocidin e regjimit të Millosheviqit. Për të pasur një zgjidhje me Serbinë, duhet të zbatohet marrëveshja e Brukselit. Ndërsa për pajtim, Serbia duhet të distancohet nga Millosheviqi dhe Putini, Beogradi zyrtar duhet të fajësojë ata të dy për situatën në të cilën ndodhemi ata dhe ne”, ka deklaruar ai./Express