Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se krerët e shtetit po punojnë për padinë për gjenocid ndaj Serbisë. Derisa theksoi se drafti për Asociacionin, i propozuar nga diplomatët euro-amerikanë nuk ofron asnjë lloj autonomie për komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Haxhiu, në konferencën për medie pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën u shpreh më e rezervuar për të komentuar draftin, por bëri të ditur se kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Grupin Parlamentar në terma të përgjithshëm për propozimin e modernizuar për Asociacionin.
Ajo tha se po të ishte në dorën e kryeministrit Kurti, drafti do të bëhej publik qysh dje, mirëpo është kërkesë e ndërmjetësve që i njëjti mos të publikohet.
“Deri në këtë moment ne nuk kemi pranuar asnjë informacion se ndonjë grup i qytetarëve është organizuar apo ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga zyrat. Ajo çka është e rëndësishme është se kryetarët po vazhdojnë të punojnë dhe ne si qeveri i mbështesim ata”, theksoi ajo.
Në anën tjetër, ministrja Haxhiu pasi foli për rëndësinë e Institutit për krimet e luftës, bëri të ditur se tre krerët e shtetit janë duke punuar për hartimin e padisë për gjenocid ndaj Serbisë.
“Sa i përket padisë për gjenocid është në programin qeverisës. Është duke punuar kryeministri Kurti, presidentja Osmani dhe kryetari i Kuvendit të cilët janë të angazhuar në këtë drejtim. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes nuk mund të japim detaje por ju siguroj se jemi duke u marrë me këtë çështje”, tha Haxhiu.
E pyetur për çështjen e zgjedhjes së kryeprokurorit, Haxhiu tha se procesi duhet të kthehet në pikën zero dhe se propozimi i Këshillit Prokurorial i Kosovës që sërish ta dërgojë emrin e Blerim Isufajt për kryeprokuror të ardhshëm të shtetit, nuk është ligjor dhe kushtetues.
“Mbështes dhe mirëpres letrën e presidentes Vjosa Osmani për mosdekretimin e zotëri Isufajt për kryeprokuror të shtetit. Arsyet për këtë i ka përmendur edhe në letër presidentja Osmani. Kryeprokurori i shtetit ka mandat shtatë vite dhe ky proces duhet të jetë transparentë dhe meritor e jo të ndikojnë grupe të interesit apo individ që të sjellin një rezultat që dihet para se të ndodh ai. Prandaj unë mbështesë presidenten Osmani në letrën që ka adresuar. Propozimi i njëjtë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka bazë kushtetuese dhe as ligjore. KPK-ja nuk e di ku është bazuar kur e ka dërguar emrin e njëjtë tek presidentja Osmani, pasi ky proces duhet të kthehet në pikën zero dhe do të kthehet në pikën zero”, shtoi ajo.