A e ka parë dikush Kurtin?! “Çele guri gojën” për dështimin në KiE

Kryeministri Albin Kurti nuk e foli asnjë fjalë personalisht në publik, teksa qeveria e tij tha se po bënte përpjekjen e fundit për të zhbllokuar anëtarësimin në KiE, duke paralajmëruar hartimin e një draft-statuti.

Në vijë të ‘frontit’ e la zëvendësen e tij, Donika Gërvalla, ndërsa vetë po merrte pjesë në një takim rajonal në Kotor të Malit të Zi fqinj. Kosova dje nuk arriti të hyjë në agjendën e Komitetit të Ministrave e rrjedhimisht as të votohet për t’u bërë anëtarja më e re. Arsyeja – refuzimi i Kurtit për të nisur procedurat e themelimit të Asociacionit.

Ky kushtëzim erdhi nga Franca, Gjermania e Italia që kërkuan hapa konkretë e urgjentë për zbatimin e pikës së Asociacionit bazuar në draft-statutin e emisarit Miroslav Lajçak.

Në vend të kësaj, nga Qeveria e Kosovës, kryediplomatja Donika Gërvalla zgjodhi që një ditë para kësaj mbledhjeje t’i nisë një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës me zotimin se do të përgatisë një draft për krijimin e një “mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe”.

Për ofertën, Kurti s’u deklarua publikisht. Sidoqoftë, përpjekja dështoi.

Pasi mbledhja e ministrave nuk e mori parasysh anëtarësimin e Kosovës, Ministrja Gërvalla ishte sërish ajo që e dha përgjigjen e Qeverisë për këtë ngjarje, duke u ankuar se në vend se “të dërgohej një mesazh i fuqishëm për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Europës”, disa vende i dolën krah Serbisë.

“Në vend të Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara”, shkroi ajo.

Ndërkaq, për propozimin e bërë më 16 maj, Gërvalla tha se “vetvetiu” e humbi efektin.

“Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letrës drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”.

Për dështimin në Strasburg shkroi edhe e para e vendit, Vjosa Osmani, e cila shprehi optimizëm se anëtarësimi i Kosovës është punë e kryer, por se është vetëm çështje kohe.

“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Europës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të jemi atje, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që e përcaktojnë Këshillin e Europës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike. I jemi mirënjohës të gjitha vendeve që na kanë mbështetur deri tani. Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut më shpejt sesa vonë”.

Por, Kurti deri të shtunën s’ka folur për dështimin.

Sipas një njoftimi të Zyrës së tij doli se Kurti këtë cështje e ka diskutuar me ambasadorin britanik në Prishtinë.

Ai i ka shprehur mirënjohje Mbretërisë së Bashkuar për qëndrimin pro anëtarësimit të pakushtëzuar në një takim me ambasadorin e këtij shteti, Jonathan Hargreaves, në zyrën e tij.

“Rezultati i mbledhjes së djeshme në Këshillin e Europës, çështjet bilaterale dhe rajonale si dhe projektet e përbashkëta ishin temë e diskutimit. Kryeministri e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për qëndrimin e mbajtur dje gjatë takimit të komitetit të ministrave në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës”, u tha në njoftimin e ZKM-së.

Kurti nuk foli, megjithatë disa figura nga partia e tij ishin të ashpër në deklarime ndaj asaj çka ndodhi në Strasburg.

Qëndrime më të ashpra erdhen nga zyrtarë të VV e deputetë të saj.

Anëtarja e Këshillit të Përgithshëm të Vetëvendosjes, Dejona Mihali, tha se ishte dëshirë e popullit të Kosovës që “Zajednicës” të mos ia hapë derën përmes Këshillit të Europës.

“Zajednica nuk ka për të hyrë nga asnjë derë. Aq më pak nga ajo që lidhet me Këshillin e Evropës. Çfarëdo lobimi të bëjë Serbia. Ajo derë është mbyllur. Dhe do të qëndrojë ashtu. Sepse ashtu ka dashur dhe do populli i Kosovës”.

Ndërkaq, deputeti Dimal Basha tha se vendimi i djeshëm i Komitetit të Ministrave ishte “njollë e zezë për Europën”.

“Europës duhet t’i vijë turp që e le Kosovën jashtë Këshillit të Evropës, pas plotësimit të të gjitha kritereve! Si mund të na predikojë BE-ja drejtësi dhe drejta të njeriut kur diskriminojnë e privojnë një vend nga qasja në drejtësi, respektivisht në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut të BE-së!”.

Mllefi i Bashës nuk ishte vetëm ndaj Këshillit të Europës. Ai e bëri target kryediplomatin shqiptar, Igli Hasani, i cili në fjalën e tij e përmendi kërkesën e Kosovës. Bashës s’i pëlqeu rekomandimin i Shqipërisë për Kosovën që të dëgjojë vendet aleate dhe të përmbushë zotimet e marra.

“Hipokritë! Kosova ka gjet më shumë mbështetje te shtetet si Britania sesa Shqipëria! Kur e dëgjon Igli Hasanin duke fol në Këshillin e Evropës, se di njeri a është ka flet Ministri i Jashtëm i Bellarusisë, apo ai i Shqipërisë! Tepër mirë jemi!”.

Siç transmeton Express, edhe zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, e konsideroi të padrejtë ngjarjen në Strasburg. Ndërsa kritikat ai i kishte për opozitarët “e zhurmshëm” se problemi me Asociacionin u trashëgua nga ata.

“Sot u mor një vendim i padrejtë ndaj Kosovës, jo vetëm Qeverisë. Siç tha ministrja Gërvalla, nuk kemi lënë gur pa lëvizur, gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovës. Propozimet tona për ta tejkaluar këtë ngërç siç ka thënë edhe Kryeministri janë përbrenda 3 shtyllave, pra përbrenda kushtetushmërisë dhe ligjeve aktuale. E Serbia kërkon diçka përtej tyre. Ajo po e kërkon 2013 dhe 2015, jo 2022 e as 2024. Ndërkaq, këta që po zhurmojnë sot, janë të fundit që do të mund të ofronin zgjidhje, meqë vetë janë pjesë e problemit që na përcjell nga viti 2013”.