Kosova është tronditur nga një rast i rëndë që ka ndodhur në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë “Orenda”. Një grua e moshuar shihet duke u rrahuar brutalisht nga infermierët e kësaj shtëpie.
Inspektorati Shëndetësor ka qenë sot për inspektim në këtë institucion privat në të cilin jepen dhe shërbime të përkujdesit shëndetësor.
Lidhur me këtë kanë folur edhe nga Inspektorati i Punës në një konferencë për media.
Një nga zyrtarët tha që punëtoret në këtë qendër kanë pasur licenca të punës, derisa nuk e mohoi mundësinë se atyre mund t’iu merret licenca.
“Infermierët që punojnë këtu janë me licenca valide të punës. Stafi shëndetësor është me licencë valide. Edhe ajo (e dyshuara) është me licencë. Menaxhmenti na propozoi një vendim ku katër infermieret janë suspenduar nga puna dhe janë në procedurë hetimore nga Policia. Cka ka ndodh ma konkretisht, Policia jep informata. Licenca mund edhe të iu merret, pavarësisht nga Këshilli Etikoprofesional i Odës, ata janë organi që japin vendimin përfundimtar.”
Të arrestuarat dhe të përfshirët në ngjarje janë të profesionit infermiere, të licencuara nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë.
“Pas inspektimit, Raporti i Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë do t’i dërgohet Odës, institucion ky i pavarur, me qëllim marrjen e masave konform ligjit, statutit, rregullave dhe kodit etik në fuqi”.
“Mbesim të përkushtuar për të ruajtur dinjitetin e çdo pacienti dhe të qytetarëve në përgjithësi kur përkujdesi i tyre u besohen profesionistëve shëndetësorë. Çdo abuzim me këtë besim do të ketë reagimin tonë të pa kompromis. Të njëjtën besojmë që do ta kenë dhe Odat e profesionistëve shëndetësorë”.
Policia në Pejë e ka konfirmuar se punonjëset e shtëpisë së pleqve “Orenda” janë arrestuar në lidhje me rastin e sulmit fizik ndaj të moshuarës në Pejë, teksa nga Prokuroria kanë bërë të ditur se tri të dyshuarat janë ndaluar për 48 orë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se të dyshuarat ngarkohen me tri vepra penale dhe ndaj të njëjtave është caktuar masa e ndalimit.
“Janë arrestuar tre persona si të përfshirë në rast. Të dyshuarit ngarkohen me tri vepra: sulm, ndihmë në sulm dhe incizim i paautorizuar. Ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit”, tha ai.
Sulmi ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë nga një infermiere ka ndodhur pesë ditë më parë, më 29 tetor, sipas Policisë së Kosovës.
Siç ka mësuar Insajderi, e moshuara është nëna e dëshmorit, Taulant Nura, i cili është vrarë gjatë luftës në betejën e qytetit të Gjakovës.
“Kjo gruaja e sulmuar është nëna e dëshmorit Taulant Nura i vrarë në maj 99-ës në betejën e qytetit të Gjakovës, i tha ky burim Insajderit.
Gazeta Insajderi ka mësuar se dhunuesja kryesore që shihet në këtë video është Aurona Pelaj nga fshati Novosellë.
Pelaj shihet duke e goditur me shuplaka në fytyrë, pa pikë mërie të moshuarën.
Pamjet e rënda janë publikuar nga aktorja Kaltrinë Zeneli të martën.
“Orenda” Sh.P.K. është një biznes privat i cili merret me aktivitetet në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta.
Aksionarë të biznesit janë Anton Rasaj, Besmir Ahmetaj, Agron Kukaj dhe Esmira Kukaj.
Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se ndaj dy dhunueseve është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve.