Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar se gjatë stinës së dimrit mund të ketë reduktime të rrymës për shkak të shumë faktorëve, dhe ajo pret që qytetarët të kursejnë sa më shumë në mënyrë që të minimizohet nevoja për reduktime.
Në një konferencë për shtyp të martën nga Termocentrali Kosova A, Rizvanolli ka thënë se kriza e energjisë elektrike në Evropë është shumë më e rëndë sesa vitin e kaluar, e shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
“Kriza sivjet në nivel të Evropës është shumë më e rëndë që ka qenë vitin e kaluar, kjo shkaku i luftës në Ukrainës dhe përdorimit të gazit dhe energjisë si armë nga Putini. Këto e bëjnë në një masë dimrin e paparashikueshëm. Kjo e bën të qartë se dimri do të jetë i vështirë, jo vetëm për ne, por edhe vendet si Gjermania, Britania janë duke u përgatitur për këto reduktime. Shpresojmë që masat e Komisionit Evropian ta zbusin krizën. Ne jemi duke shikuar të gjitha mundësitë që qytetarët dhe bizneset të kursejnë dhe të përdorin mjete alternative për nxehje. Secili nga ne duhet ta bëjë maksimumin, ne institucione jemi duke u bërë një gjë të tillë”, ka thënë ajo.
Rizvanolli ka njoftuar se blloku A3 është rikthyer në funksion sot. Gjatë ditëve të kaluara kur ky bllok ishte jashtë funksionit, ministrja e Ekonomisë ka thënë se falë marrëveshjes me Shqipërinë për këmbim të energjisë elektrike, nuk ka pasur reduktime