“Kam frikë se kjo do të jetë zgjidhja për krizën në Kosovë”, paralajmëron eskperti gjerman

Analisti gjerman dhe anëtari i “Democratization Policy Council”, Kurt Bassuener , në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbe ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe për raportet me Serbinë.

Bassuener i pyetur rreth asaj se si e sheh zgjidhjen e krizës me targat dhe daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës, ka thënë se ka frikë se qëllimi i zgjidhjes është që qeveria e Kosovës të tërhiqet dhe të mos e zbatojë vendimin për targat.

Ai thotë se nëse është kështu atëherë i bie se Serbia po shpërblehet për përshkallëzimin e shkaktuar, derisa shton se do të ishte edhe një shenjë e diskriminimit nga politika ndërkombëtare meqë “i jepet e drejtë palës më të fortë dhe i bëhet presion palës më të dobët për të arritur ndonjë marrëveshje për të qetësuar situatën”, raporton Express.

“Kam frikë se ky është qëllimi i Berlinit, Parisit, Uashingtonit dhe Brukselit..”, ka thënë Bassuener.

I pyetur për artikullin e “Euractiv” në të cilin janë publikuar disa pika që thuhet të jenë të planit “franko-gjerman”, Bassuener ka thënë se nuk e sheh si një plan ku njihet pavarësia e Kosovës nga Serbia. Analisti gjerman ka thënë se përmbajtja e artikullit tregon tentimin për paralajmërim të Serbisë që të mos e kalojë kufirin në veri të Kosovës.

“Nuk e shoh si njohje të nënkuptuar të Kosovës”, ka thënë Bassuener.

Ai tutje thotë se ajo çfarë i duket interesante me planin frnako-gjerman është së përmbajtja bie në kundërshtim me deklarimet e kancelarit Scholz që bëri gjatë vizitës në rajon e ku ishte i drejtpërdrejtë në domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nëse Serbia dëshiron integrim në BE.

Eksperti gjerman thotë se një plan i tillë i duket si një rivendosje e synimeve fillestare të dialogut, synim të cilin e kishte mbajtur edhe Angela Merkel sa kishte qenë kancelarë kur ia kishte thënë të njëjtën gjë Boris Tadiqit 11 vjet më parë.

“Fakti që ai po tërhiqet prej një synimi të tillë duket si një përpjekje për të qetësuar situatën dhe jo për ta zgjidhur atë”, ka thënë Bassuener.