Për ditë më radhë një familje në fshatin Dobërçan të Gjilanit nuk kishte informacione për fatin e të bijës 19-vjeçare, e cila u largua nga shtëpia më 30 shtator dhe nuk dihej gjë për të. Familja kërkoi ndihmën e Policisë, por pas më shumë se një jave u zbulua se vajza ishte martuar në Klinë, raporton Gazeta Sinjali.
Pasi 19-vjeçarja u kthye në shtëpi, Sinjali mëson se rrëfeu se ku kishte qëndruar dhe si vendosi të lidhej me një person, me të cilin ishte njohur edhe më parë. Sipas informacioneve të para, vajza ka thënë se fillimisht ka qëndruar jashtë shtëpisë e më pas ka shkuar te personi me të cilin tashmë janë martuar.
Policia është njoftuar për detajet e rastit pasi babai i 19-vjeçares është paraqitur në Polici dhe ka treguar se si ka ndodhur ngjarja, duke deklaruar se vajza nuk është keqtrajtuar nga askush.
Kujtojmë se nuk janë të rralla rastet kur të rinjtë largohen nga shtëpitë që shumë herë kanë pasuar me ngjarje tronditëse të dhunimit e keqtrajtimit, sidomos të vajzave të mitura.