Shqipëri: Trazohet deti, pezullohet lundrimi i disa mjeteve për shkak të motit të keq

Është pezulluar lundrimi i peshkarexhave nga Porti i Durrësit si edhe linja e trageteve Sarandë-Korfuz, ku shkak është bërë moti i keq, i cili ka sjellë edhe trazira në det.

Po ashtu, thirrje u është bërë edhe mjeteve të vogla të lundrimit, nga autoritetet përkatëse, për të shmangur lundrimet, deri në çastin kur do të ketë kthjellime të motit.

Prej ditës së shtunë, vendi është përfshirë nga shira lokalë, kryesisht në zonat e ulëta dhe bregdetare, duke shkaktuar kështu trazira në det, si edhe përmbytje në qytetin e Durrësit.

Ky i fundit, ka pasur gjithnjë probleme me reshjet, ku rrugë të shumta bëhen të pakalueshme, përveçse me mjete, për shkak të sasisë së madhe të ujit që mblidhet.

Një problem ende i pazgjidhur për qytetin bregdetar.

Në qarqet e tjera të vendit ndërkohë, nuk ka pasur raportime të problemeve të tilla, pasi prurjet e reshjeve kanë qenë të pakta. /Albanianpost.com