Datat 9 dhe 10 nëntor do ta bëjnë bashkë grupin punues të Këshillit Evropian për vizat.
Në këtë takim do të diskutohet për liberalizimin e vizave për Kosovën, shkruan Front Online.
Pavarësisht që në këtë takim është thënë se do të diskutohet për çështje teknike, nga pozita e opozita në vend shpresojnë që nga ky takim do të ketë sinjale pozitive për vendin.
E, shumë optimist që në fund të vitit do të ndodhë liberalizimi i vizave shprehet njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Afrim Hoti.
Deputetja e LDK-së: Presim konfirmim pozitiv për vizat në takimin e nëntorit
Deputetja e LDK-së, njëherit kryetare e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, derisa ka thënë se procesi i vizave për kosovarët është tejzgjatur tani është koha që ky proces të përfundojë deri në fund të vitit.
“Në takimin e radhës të Këshillit të Bashkim Evropian që pritet te mbahet edhe pak ditë presin konfirmim pozitiv për këtë proces. Në takimet që ne i kemi pasur me zyrtaret e BE-së, janë shprehur optimist për këtë proces. Qeveria e Kosovës duhet të jetë më transparente dhe më shumë bashkëpunuese duke punuar ngushtë më shtete që janë skeptike për këtë proces”, është shprehur Krasniqi për Front Online.
Sipas saj ky proces duhet të përfundojë në favor të Kosovës.
“Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën qysh në vitin 2018, dhe ky proces duhet të përfundojë ne favor të Kosovës”, ka shtuar ajo.
Deputetja e Vetëvendosjes: Asnjë shtet i vetëm nuk është kundër liberalizimit të vizave
Për takimin e grupit punues për Front Online, ka folur edhe deputetja e pushtetit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.
Ajo ka thënë s enë këtë takim do të jepen komentet e shteteve anëtare lidhur me atë që po e kërkon Franca, pra sistemin ETIAS.
“Në takimin e Grupit Punues të datës 9 dhjetor, do të rikthehet diskutimin për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Do ti shohim komentet edhe të shteteve anëtare lidhur me elementin e ri që nxori Franca në sipërfaqe, pra ETIAS. Ajo çfarë kemi parë deri më tani është se edhe për vet shtetet anëtarë kjo ka qenë një çështje që i ka nxënë në befasi, sepse sigurisht se nuk do të duhej të ekzistonte një ndërlidhje e tillë, aq më pak, me një sistem që as nuk është funksional”, ka thënë ajo, për Front Online.
Ndërsa, ka deklaruar se asnjë shtet nuk është kundër liberalizimit të vizave.
“Ajo çfarë është shumë e rëndësishme të potencohet, është fakti që asnjë shtet i vetëm, nuk është decidivisht kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Ka dyshime tek disa ministra, me të cilët Qeveria është marrë përgjatë këtij muaji dhe është bërë përpjekje që këto dyshime të hiqen”, ka pohuar Kryeziu-Hyseni.
E, pyetur se kur pritet që Këshilli i Ministrave ta jep fjalën e tyre të fundit, Kryeziu-Hyseni ka pasur një përgjigje.
“Këshilli Ministrave nuk ka punë një herë. Jemi tek grupi punues. Duhet të përfundojë këtu për të ecur tutje. Nuk japin ata ndonjë vendim pa u nxjerre si rekomandim prej grupit punues”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Musliu-Shoshi: Shpresoj që qytetarët nuk do të tradhtohen edhe njëherë nga Evropa për vizat
Që pret rekomandim pozitiv për vizat në këtë takim, e thotë edhe deputetja e PDK-së, njëherit anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Ariana Musliu-Shoshi.
“Takimet e grupeve punuese janë me shumë të karakterit teknik dhe jo shume përmbajtjesor sa i përket vendimit për liberalizim të vizave. Nga ky takim pres rekomandime pozitive për vendin tonë pasi që ne ka kohë që i kemi plotësuar kushtet që të kemi liberalizim te vizave. Pres dhe dua të besoj që qytetarët tanë nuk do të tradhtohen dhe zhgënjehen prapë nga Evropa sa i përket lëvizjes së lirë”, ka shtuar deputetja Musliu-Shoshi.
Afrim Hoti: Shpresoj dhe besoj se në fund të vitit do të ndodhë liberalizimi i vizave
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë për Front Online se beson dhe shpreson se fundi i vitit do t’i gjejë qytetarët e Kosovës pa viza.
“Ajo është çështje që Këshilli i Ministrave mblidhet në bazë të kërkesave. E rëndësishme është që të jepet sinjali dhe nëse ky sinjal do të jetë pozitiv mendoj që pas takimit besoj ka mesi i dhjetorit mblidhet Këshilli i Ministrave dhe nëse ekziston vullnet edhe nga shtetet anëtare besoj se Viti i Ri do të na gjej pa viza”, ka thënë ai.
Sipas Hotit, tashmë ka dokumente dhe vendime që konfirmojnë plotësimin e kushteve dhe se më 9 dhe 10 nëntor grupi punues do të jep sinjal pozitiv për këtë çështje.
Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012. Në qershor 2012, Komisioni i paraqiti Kosovës një Udhërrëfyes për Liberalizimin e Vizave, i cili identifikoi legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave.
Udhërrëfyesi përcakton një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ripranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes./Front Online