Rastet e dhunës në familje janë të shpeshta në vendin tonë, por rrallë ndodh që viktima të jenë burrat, pasi që zakonisht dhunën e denoncojnë gratë.
Kështu ka ndodhur në një familje në Gërdoc të Podujevës, ku kërciti dajaku, por kësaj here viktimë është një burrë.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar një 28-vjeçar, i cili e ka raportuar bashkëshorten e tij 21-vjeçare, me pretendimet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj tij.
Bazuar në dëshminë e tij, e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë ku jetojnë çifti dhe e dyshuara e ka rrahur bashkëshortin e saj pas një mosmarrëveshje që dyshohet se eskaloi në sulm fizik dhe u desh të intervenonte Policia.
E dyshuara është arrestuar dhe e njëjta është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku e ka mohuar kategorikisht ta ketë sulmuar burrin, teksa viktima ka shkuar te një i afërm i tij
Pas përfundimit të procedurave në Polici, me urdhër të prokurorit të shtetit ndaj saj është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.