Vendet e lira të punës në tregun austriak po shënojnë shifra rekorde. Për këtë arsye Austria dëshiron të sjellë punëtorë të kualifikuar nga Evropa Juglindore duke i pajisur me kartonin Rot-Weiss-Rot.
123,000 vende të lira pune gjenden aktualisht në tregun e punës në Austri. Pikërsiht për këtë, agjencia shtetërore “Austrian Business Agency (ABA) po përpiqet të sjellë në Austri specialist të kualifikuar nga Evropa Juglindore.
“Ne shohim ende një potencial të madh në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, shpjegon drejtori menaxhues i ABA -së, Rene Tritscher, raporton “Kurier”.
Sipas Tritscher në këto shtete ka shumë të rinj të trajnuar mirë, veçanërisht në fushën e IT-së dhe elektroteknikës. Përveç kësaj, shumë prej tyre flasin shumë mirë gjuhën gjermane dhe pëlqejnë kulturën austriake. “Qëllimi kryesor është kryesisht rekrutimi i të diplomuarve universitarë dhe integrimi i tyre në tregun austriak të punës”, ka shtuar ai, përcjell albinfo.at
Shefi i AMS-it ka frikë se gjendja në tregun e punës mund të përkeqësohet
Të mërkurën në mbrëmje, shefi i AMS-it,(Zyra e Punësimit në Austri) Johannes Kopf gjatë një interviste për “ZIB2”, tregun e punës në Austri e parashikon akoma më të zymtë, ku sipas tij do të kërkohet më shumë fuqi punëtore, transmeton albinfo.at.
Duke analizuar tregun e brendshëm të punës, Kopf shpjegoi se shkalla e papunësisë është aktualisht në vlerën më të ulët mujore në 17 vjetet e fundit. Megjithatë, kjo ka të ngjarë të ndryshojë së shpejti. Sidoqoftë, papunësia duhet të mbetet e qëndrueshme dhe e ulët në fund të vitit – veçanërisht në krahasim me fundin e vitit të kaluar (Shkaku: Bllokimi nga pandemia) – parashikimi për vitin 2023 tashmë duket disi më i keq.
Johannes Kopf dyshon se shifrat ka mundësi të rriten përsëri në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Arsyetimi i tij: Tremujori i parë i 2022 ishte “shumë i mirë”. Ai ka “frikë” se në vitin 2023 do t’i duhet të shpallë shifra në rritje të shkallës së papunësisë. Kopf, supozon se do të ketë mungesë, veçanërisht në fushën e punëtorëve të kualifikuar, e cila ka gjasa të vazhdojë edhe në vitet në vijim.