Qeveria e Kosovës ende nuk i është përgjigjur kërkesës së Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat në Kosovë, për heqjen e kushtit për ndarjen e nga 50 eurove për punëtorët e këtij sektori.
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, paralajmëroi se këtë javë pritet që të ketë protestë.
Azemi tha për Front Online se të premten paradite do të merret ky vendim.
“Të premten në ora 09:30 do të merret vendimi për protestë, mori s’mori vendim Qeveria. Vendimi i Qeverisë në fillim menduam që është i paqëllimshëm por po del që është i qëllimshëm”, tha ai.
Sipas Azemit, Qeveria nuk po merret me problemet e sektorit privat, anipse me atë publik po.
“Ne pas këtij vendimi i kemi shkruar menjëherë kryeministrit për ta hequr vendimin sepse pronarët e kompanive nuk e bëjnë këtë stimulim nuk e paguajnë, edhe ministrin e financave jo që i kemi kërkuar të heq këtë vendim por edhe e kemi lutur që ti marrim nga 100 euro as nuk na kanë kthyer përgjigje. Për sektorin publik janë stimuluar pagesat por për neve jo ani pse gjendja ekonomike është e rëndë dhe ka punëtorë dhe punë më shumë në këtë sektor se sa në publik por Qeveria fare nuk po merret me këtë problematik”, theksoi Azemi.
Ish-ministri i Financave: Qeveria të merr masa për t’iu dalë në ndihmë sektorit privat
Se sektori privat ka nevojë për ndihmë financiare në kushtet e krizës ekonomike që po përballet vendi aktualisht, e thotë edhe ish-ministri i financave, Haki Shatri.
Shatri tha për Front Online se buxheti i Kosovës është edhe për sektorin privat.
Ai thotë se në kushtet siç është Kosova të krizës ekonomike, duhej të ndihmohet edhe sektori privat.
“Në kushtet e krizës ekonomike duhet me i ndihmuar edhe komunitetit privat. Ish dashtë me marrë masa, buxheti për atë arsye ekziston. Me këqyrë si me i ndihmuar dhe me sa para me i subvencionuar”, potencoi Shatri.
Njohësi i ekonomisë: Punëtorët e sektorit privat më të prekurit nga inflacioni, Qeveria të merr masa
I të njëjtit mendim se Qeveria duhet të i ’u dalë në ndihmë sektorit privat, është edhe ekonomisti, Imer Raci.
Ekonomisti Raci tha se ky sektor është shumë i prekur nga inflacioni.
Sipas Racit, të njëjta kërkesa si të punëtorëve të sektorit publik duhej t’i plotësohen edhe atij privat.
“Kërkesat e sektorit privat nuk po plotësohen nga Qeveria së pari, paga minimale nuk është bërë dhe ashtu siç po përkrahët sektori publik nuk po përkrahet sektori privat dhe ky sektor duhet të përkrahet se janë të goditur shumë nga inflacioni. Të hyrat që janë rritur në buxhet janë rritur nga qytetarët dhe duhet të shpërndahen tek qytetarët. Qeveria duhet të ju dalë në ndihmë me masa të njëjta ashtu siç po vepron me sektorin publik”, potencoi Raci.
Sindikata e punonjësve të sektorit privat, po ashtu ka kërkuar rrite të pagave për këtë sektor, me vendim për rritje të pagës minimale nga Qeveria, pasi sipas tyre këta punonjës janë të rrezikuar për mbijetesë.
Kërkesa e tyre është rritja e pagës minimale në 250 euro me ligj./Front Online