Prokuroria Themelore në Pejë ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të intervistojë të gjithë personelin qendrës të moshuarve në Pejë dhe personave që jetojnë aty. Kështu njofton zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, i cili ka shtuar se aktualisht janë tre persona të ndaluar për 48 orë.
Pas publikimit të videos tronditëse ku shpërfaq dhunën e një infermiereje, ndaj një të moshuare rreth të 70-tave, Nikçi tregon se cilat janë masat që po ndërmerr Prokuroria Themelore në Pejë.
“Ka rezultuar me tre persona të ndaluar për 48 orë, të cilët po rezultojnë që kanë kryer vepër penale në bashkëkryerje. Dhe njëkohësisht janë lëshuar autorizime që të kryhen procese hetimore për ndriçimin e plotë të kësaj çështje penale dhe gjithashtu është lëshuar autorizimi për Policinë e Kosovës nga Prokurori i Shtetit që të intervistohet personeli i asaj strehimoreje dhe personat që strehohen aty. Në mënyrë që të kuptojmë informata që mund të ndihmojnë në ndriçimin e kësaj çështje penale dhe edhe në rastet tjera të cilat mund të kenë ndodhur në atë strehimore. Dhe gjithashtu edhe dhjetëra autorizime që janë konfidenciale”, ka njoftuar Nikçi.
I pyetur se a mund ta përfundojnë sot këtë intervistim, Nikçi thotë se kjo është çështje e procesit hetimor. Sipas tij, janë lëshuar autorizimet dhe janë duke u ndërmarrë veprime konkrete.
“Prokuroria e Pejës ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të intervistojë të gjithë personelin e asaj strehimoreje dhe gjithë personat që strehohen aty të moshuarit. Dhe eventualisht nga intervistimi i tyre nëse pranohen informata, do të shërbejnë përmes deklarimit të tyre që të ndriçohet kjo çështje penale, për të cilën kemi filluar hetimet apo edhe mund të kenë edhe informata të tjera të cilat mund të shërbejnë për zgjerimin e hetimeve, qoftë për persona juridik por edhe për persona të cilët mund të kenë kryer vepra penale në vazhdimësi”, ka shtuar ai.
Nikçi ka njoftuar se janë duke u marrë veprimet edhe për rastin e një qytetari, për të cilën është thënë se ka raportuar shqetësime të tilla.
“Pasi që ky qytetar ka shprehur shqetësimet e tij përmes opinionit publik në media, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të verifikohen këto informata dhe për rastin konkret nëse ka vepra penale, të veprohet sipas ligjit”, ka përfunduar ai.
Gjatë ditës së djeshme, është tronditur opinioni publik nga pamjet e publikuara të cilat dëshmojnë dhunën e një infermiereje ndaj një të moshuare, e cila ishte e strehuar në një qendër private në qytetin e Pejës. Për infermieren dhe dy të tjerat të cilat shihen në video, është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve për bashkëkryerje të veprës penale. Ndërkaq, xhiruesja e kësaj videoje është liruar pas intervistimit.