Gazetari Bahri Cani ka deklaruar se në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit që do mbahet më 3 nëntor, pritet të diskutohet edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Cani, në një intervistë për RTK-në të martën, tha se pritet të ketë sinjale pozitive për vizat.
“Një pjesë të madhe të përgjegjësisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor e kanë vetë ata [Gjermania dhe Franca]. Natyrisht priten sinjale pozitive edhe sa i përket Kosovës. Një sinjal me rëndësi është dërgimi i sinjalit eventual për liberalizimin e vizave dhe ky është një prej elementeve që Bashkimi Evropian nuk e ka realizuar e të cilin e ka premtuar”, ka thënë ai.
Më 3 nëntor, kancelari gjerman Olaf Scholz do të presë në Berlin liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të BE-së, në kuadër të të ashtuquajturit “Procesi i Berlinit”, që është iniciuar nga paraardhësja e tij, Angela Merkel.