Një grindje mbi targat e automjeteve duket një arsye e pamundur për vendosjen e trupave ushtarake në gatishmëri dhe arsye për t’u përplasur me partnerët ndërkombëtarë. Por Serbia dhe Kosova po e bëjnë pikërisht këtë, ka shkruar BBC këtë të martë.
Këmbëngulja e Kosovës që banorët etnikë serbë duhet t’i dorëzojnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia, po i tensionon marrëdhëniet me mbështetësit e saj kryesorë ndërkombëtarë, BE-në dhe Shtetet e Bashkuara.
Trupat paqeruajtëse të KFOR-it po shtojnë patrullimet në rast të ndonjë incidenti. Dhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka thënë se trupat e saj po qëndrojnë në gatishmëri “për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, përfshirë serbët në Kosovë”.
Menjëherë pas mesnatës së të martës, policia e Kosovës filloi të jepte vërejtjet e para me shkrim, pasi afati për ndërrimin e targave kishte skaduar. E para ishte një grua e ardhur nga Serbia përmes pikës së kontrollit në Jarinje, në veri të Kosovës.
Policia e paralajmëroi se ajo duhet të hiqte targën e lëshuar nga Serbia deri më 21 nëntor, ose do të përballej me gjobë. Por, shoferja kundërshtoi duke thënë se ajo do të priste të dëgjonte nga qeveria e Serbisë para se ta bënte ndërrimin.
Duket se ka pak mundësi që Beogradi të ndryshojë qëndrimin. Thotë se serbët e Kosovës kanë çdo të drejtë t’i përdorin targat e lëshuara nga Serbia, që reflektojnë mosnjohjen nga Serbia të shpalljes së pavarësissë së Kosovës më 2008.
Petar Petkoviqi, kreu i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, ka treguar disa pika për të cilat këmbëngulë se ishin prova se autoritetet e Kosovës kanë refuzuar marrëveshjet e arritura përmes dialogut.
“Prishtina është fajtori i vetëm këtu”, ka thënë ai për BBC.
“Jo vetëm që ky është një akt i shkeljes së marrëveshjeve të lidhura në kuadër të dialogut, por tani e kemi Prishtinën që ka shpallur përdorimin e dhunës për të zbatuar këtë vendim të paarsyeshëm”, shtoi Petkoviq.
Pretendimi për “dhunë” i Petkoviqit i referohet raportimeve se Policia në Kosovë do të konfiskonte vetura me targa serbe. Në fakt, plani aktual është pak më pak dramatik.
Për tri javë, do të lëshohen masa qortuese me shkrim për serbët që nuk konvertojnë targat. Më pas, Policia do të fillojë të japë gjoba prej 150 eurosh. Faza e tretë përfshin konfiskimin e targave – me Prishtinën që këmbëngul që riregjistrimet e veturave të përfundojnë deri në prill të vitit të ardhshëm.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Beslimi, duhej t’i shpjegonte të gjitha këto në Konferencën e Sigurisë në Beograd të premten e kaluar. Por policia serbe e ktheu atë, gjoja për sigurinë e tij, para se të arrinte në ngjarje.
Ai përfundimisht u shfaq përmes video-lidhjes në Konferencë – dhe nuk ishte penduar që Kosova kishte injoruar lutjet e BE-së dhe SHBA-së për të shtyrë afatin e riregjistrimit të veturave. Prishtina thjesht po kërkon që ligjet e saj të respektohen, ka thënë Bislimi për BBC-në.
“Në të kaluarën, BE-ja ka pasur tendencë për të zgjidhur çështjet duke i shtyrë ato”, shtoi ai.
“Shtyrja vetëm e bën problemin më të madh – dhe vetëm do të thotë se ne e transferojmë problemin te burokrati tjetër në BE. Ne nuk mendojmë se ky është ilaçi më i mirë për trajtimin e problemeve afatgjata”.
Diplomatët nuk kanë marrë mundimin ta fshehin shqetësimin e tyre. BE ka thënë se ishte “zhgënjyese” që këshilla e saj për të shtyrë afatin për 10 muaj “nuk është respektuar”.
Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, u shpreh i zemëruar teksa foli në të njëjtën Konferencë sikur Bislimi.
“Ne kemi folur për armë bërthamore kohët e fundit”, u shpreh Hill. “Është më e rëndësishme se targat”.
Më vonë, Hill i tha BBC-së se fokusimi në detajet e vogla nuk do të zgjidhte çështjet themelore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne do të dëshironim ta linim anash çështjen e targave në mënyrë që të mund të vazhdonim me çështje më të rëndësishme. Nëse ka disa përpjekje për t’u marrë me çështjet më të gjera, atëherë çështjet si targat do të bien në vend vetë”, deklaroi Hill, transmeton RTV21.
Në ndërkohë, banorët e Mitrovicës Veriore, qyteti më i madh me shumicë etnike serbe në Kosovë, kanë mbetur në mes të gjithë këtij problemi.
Jovana Radosavljeviq jeton atje. Drejton Iniciativën e Re Sociale – një organizatë që promovon besimin midis komuniteteve. Ajo thotë se shumë serbë etnikë janë të ngopur duke u ndjerë si pengje në mosmarrëveshjet midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Me kalimin e kohës dhe veçanërisht në historinë e re, komuniteti serb në Kosovë nuk kishte asnjë agjenci – asnjë kapacitet vendimmarrës”, thotë ajo.
“Edhe me dialogun e Brukselit dhe zbatimin e integrimit, komuniteti lokal nuk u pyet se si ndihen, çfarë duan dhe si duan të bëhet”, shprehet Radosavljeviq për BBC-në.
Nëse asgjë tjetër, sipas BBC-së, mosmarrëveshja e targave po shërben për të theksuar se përpjekjet për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë kanë ngecur. Fillimi proverbial është shumë i nevojshëm.