Dy kamionë janë djegur gjatë së shtunës në Zubin Potok. Pronarët e tyre janë shqipatarë të cilët po punonin në një projekt. Ata thonë se nuk kishin kërcenime, mirëpo punën nuk do t’ia fillojnë pa i’u garantuar siguria nga Policia e Kosovës.
Erdhën për t’ia filluar punës,por një gjë të tillë e kishin të pamundur.
Afër rrugës që ndan fshatrat Zupç dhe Çabër të Zubin Potokut, dy kamionë të kompanisë shqiptare “Fulda” u dogjën tërësisht.
Hakif Bajrami, menaxheri kësaj kompanie që po kryen disa punime në këtë zonë, është i befasuar me atë se çfarë ka ndodhur, derisa nuk i di motivet e ngjarjes.
“Nuk kemi pasur asnjë telashe, kemi punu normal, sot na kanë lajmëruar edhe na tregun që i kanë djeg”, ka thënë Hakif Bajrami, menaxheri.
Por, Bajramin më shumë e shqetëson fakti që në Veri të Kosovës nuk po mundën të punojnë lirshëm.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje për djegien e këtyre kamionëve.
Mirëpo, pronarët e këtyre mjeteve thonë se këto shenja i bëjnë të dyshojnë se djegia është bërë me koktej molotovi.
“Nuk ndihemi mirë, se jemi në vendin tonë dhe me pas frikë me punu. Kështu kërcënime nuk na ka bërë askush neve, por po e shihni”, ka shtuar ai.
Kurse pronari i kompanisë, Skënder Shala thotë se policia kjo vepër është kryer nga një grup kriminelësh.
“Këto ditë e para, kemi punuar pa pengesa dhe nuk kemi pas diçka të keqe me dikon as kurrgjë, mirëpo kur erdhëm i pamë të djegura dhe sipas policisë këtë vepër e kanë kryer disa kriminela”, ka thënë Skender Shala, pronar.
Por, punën që e ka filluar tre ditë më parë, kjo kompani thotë se duhet ta çojë deri në fund.
Nga ky vend deri tek pika kufitare në Bërnjak, janë rreth 28 kilometra, ku kjo kompani do të punojnë edhe në vazhdim për të përfunduar këtë projekt. Mirëpo ata për RTV Dukagjini kanë thënë se nuk ndihen të sigurt të vazhdojnë punimet, vetëm nëse marrin garanci nga Policia e Kosovës.
Në vendin e ngjarjes pasdite kanë shkuar KFOR-i italian, pjesëtarë të së cilit diskutuan me pronarët e kamionëve.
Lokacioni ku janë djegur kamionët është pak metra larg hapësirës ku para disa muajsh Policia e Kosovës u sulmua me armë zjarri. /Portali D/