Burri nga Malisheva i hyn “dajak” gruas derisa ishte duke gatuar në kuzhinë, përfundon në polici

Çdo ditë në Kosovë raportohen raste të shumta të dhunës në familje, ku viktima janë zakonisht gratë që pësojnë nga bashkëshortët e tyre.

E një rast i tillë ka ndodhur sot në fshatin Ngucat të komunës së Malishevës.

Sinjali mëson se një grua ka denoncuar në Polici bashkëshortin e saj, për të cilin thotë se e ka rrahur. Ajo si pasojë e lëndimeve të marra nga dhuna e përjetuar, ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë.

Para policëve, viktima ka deklaruar se bashkëshorti i saj e ka sulmuar fizikisht gjatë kohës që ajo ishte në kuzhinë duke përgatitur ushqim dhe sipas saj kjo ka ndodhur pas një mosmarrëveshje që kishin pasur më herët.

Njësitet policore kanë shoqëruar të dyshuarin në stacion për intervistim dhe i njëjti para hetuesve ka mohuar të ketë kryer një veprim të tillë ndaj bashkëshortes së tij.

Me vendim të prokurorit atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.