Heshtja e çuditshme e Memli Krasniqit, asnjë fjalë për targat pas “zbutjes” së Kurtit

Çështja e targave ilegale është ndoshta tema më e rëndësishme e vitit. Një “ofertë” e kryeministrit Albin Kurti për një zbatim të shkallëzuar, e shtyri të reagonte ShBA-në e BE-në, të cilat u deklaruan të zhgënjyer. Por, i heshtur, cuditërisht, që dy ditë është Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku.

Lideri i PDK-së nuk kanë postuar asnjë qëndrim të tyre në profilin zyrtar në Facebook.

Krasniqi nuk është deklaruar as në Twitter për punën e targave, që vazhdon të ngjall reagime nga vendorët e ndërkombëtarët.

Partia më e madhe opozitare kanë zgjedhur një metodë tjetër për të bërë të qartë qëndrimin e saj për temën e targave. Në vend të kryetarit, qëndrimin e PDK-së e ka bërë publik figura më pak të njohura dhe më pak të fuqishëm politikisht.

Për PDK-në foli z.Bernard Nikaj, i anëtarësuar vitin që shkoi në partinë e Memli Krasniqit. Nikaj vlerësoi se Kurti e dëmtoi partneritetin me ShBA-në.

“Si PDK, shprehim shqetësimin dhe mospajtimin tonë me këtë qasje injoruese dhe mosbashkëpunuese me shtetin më të rëndësishëm për perspektivën zhvillimore të vendit tonë. Kjo vlen edhe për raportet tona me shtetet kyçe të Bashkimit Evropian. Përderisa kemi mbështetur dhe mbështesim çdo veprim e vendim legjitim e kushtetues të Qeverisë e të institucioneve shtetërore për shtrirjen e ligjshmërisë në çdo cep të Kosovës, ne besojmë se këto qëllime më së miri arrihen duke pasur komunikim dhe koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha ai.

Ndërsa nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, shkroi një postim në Facebook për këtë temë.

“Kryeministër, mos humbë kohë me targa. Konteksti gjeopolitik është në anën tonë. Marrëveshja gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke në qendër është e mundur nëse punojmë mençur dhe me maturi.”,shkroi zonja Çitaku në Facebook.

LDK e AAK

Ndërsa, qëndrimin e LDK-së e bëri publik zëdhënësja e partisë, Sibel Halimi, e cila theksoi se LVV duhet të ruajë marrëdhëniet me ShBA-në e BE-në, të cilat sipas LDK-së janë jetike për zhvillimin e Kosovës.

“Kosova gjendet në një situatë të ndjeshme politike, si rrjedhojë është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe koordinimi me aleatët tanë, ShBA-të dhe BE-në. Konstatimi i Qeverisë Amerikane karshi mosmarrjes parasysh të rekomandimeve të saj, mjaft shqetësues. Ndaj, kërkojmë që partia në pushtet të përcaktohet strategjikisht për ruajtjen e këtij relacioni të një rëndësie jetike për zhvillimin e vendit tonë.”, theksoi zonja Halimi.

E disi mes rreshtave, u deklarua edhe Lumir Abdixhiku.

“E drejta e zbatimit të ligjit në gjithë territorin e vendit, e ritheksuar në këto rekomandime ndërkombëtare, duhet të vlerësohet si garancë për vendin tonë. Kosova ka çdo të drejtë në vendosjen e ligjshmërisë; siç dhe e ka domosdoshmëri koordinimin me aleatët historik në ndjekjen e synimeve të veta strategjike.”, shkroi Abdixhiku.

I vetmi lider opozitar që nuk hezitoi të fliste për punën e targave ishte Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, i cili tha se Kurti duhet t’i përfillë këshillat e vendeve mike.

“Vendimi i fundit i Kryeministrit për targat, i paharmonizuar dhe i pakonsultuar me aleatët perëndimorë, posaçërisht me SHBA, është një vendim shkurtpamës e që mund të jetë edhe me pasoja për vendin.”, shkroi Haradinaj.

Ndryshe, siç shkroi sot gazeta Nacionale, për zbatimin e shkallëzuar të vendimit për mos lejimin e targave ilegale serbe në Kosovë, ende nuk është deklaruar as presidentja Vjosa Osmani. Pra ende nuk dihet se saktësisht se çfarë mendon shefja e shtetit për këtë “ofertë” të Kurtit, e cila për faktorin ndërkombëtar është e pamjaftueshme.

“Zemërthyerit”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë ndarë të zhgënjyer nga vendimi i Qeverisë Kurti II për zbatim të shkallëzuar të ndalimit të targave KM.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës i ka refuzuar kërkesat për të bërë një gjë të tillë nga partnerët ndërkombëtarë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Edhe Bashimi Evropian e ka bërë të qartë se ndihet e zhgënjyer në lidhje me mos shtyrjen prej 10 muajve të zbatimit të reciprocitetit për targa, ashtu siç ishte edhe kërkesa personale e Antony Blinken, sekretar i Departamentit amerikan të Shtetit.

“Ndërsa vendimi është një hap në drejtimin e duhur, ai nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët. Marrëveshja përkatëse e vitit 2016 parashikonte një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur”, deklaroi BE në një komunikatë të lëshuar të shtunën e 29 tetorit.

Kujtojmë që Lista Serbe, nëpërmjet një komunikate, ka kërcënuar Qeverinë e Kosovës, duke theksuar se populli serb do të rezistojë ashpër nëse shqiptohen gjoba për targat./Nacionale