Ngjarja më e rëndësishme javën që po e lëmë pas ishte shtyrja e vendimit për targa. Kryeministri, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë vendosi që afati të shtyhet. Propozimi franko-gjerman për dialogun dhe eksperimentet në trafik të kryetarit të Prishtinës, janë disa nga ngjarjet të cilat mund t’i lexoni më poshtë.
Shtyrja e afatit për targat
Mëngjesin e parë të kësaj jave krerët e shtetit e nisën nën presionin për shtyrjen e vendimit për konvertimin e targave edhe për 10 muaj nga i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Madje, Escobar la edhe një paralajmërim: “Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”.
Ai u kthye mbrapsht pa asnjë garanci nga Qeveria e Kosovës nëse vendimi do të shtyhej.
Pak ditë më pas, pas presioneve të mëdha ndërkombëtare, qeveria Kurti ofroi një plan të ri, të cilin kryeministri Kurti e quajtu “shkallëzim”.
Kurti tha se fillimisht për serbët do të ketë qortim, pastaj gjobitje, e më vonë konfiskim.
“Për 3 javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor masa do të jetë e qortimit. Nga 21 nëntori për 2 muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, deklaroi kryeministri i vendit.
Pas këtij vendimi, i menjëhershëm ka qenë reagimi nga SHBA dhe BE.
Numri tre i administratës amerikane, Antony Blinken është shprehur i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, e cila ka refuzuar t’i respektojë kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për të shtyrë për 10 muaj zbatimin e vendimit për targat.
Blinken i ka thënë mediumit The Pavlovic Today se Kosova ka të drejtë që ta implementojë vendimin nën Marrrëveshjen e Brukselit, por se kërkesa që të shtyhet afati, u refuzua nga kryeministri Kurti.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë sekretari amerikan.
Edhe Bashkimi Evropian reagoi duke thënë vendimi i fundit i qeverisë për targat nuk është në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel.
Kryeministri Albin Kurti ndërkaq, të premten deklaroi se partnerët ndërkombëtarë i konfirmuan se plani është në përputhje me këtë marrëveshje.
“BE-ja ka marrë parasysh vendimin më të fundit të qeverisë së Kosovës në lidhje me targat. Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në Dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”, thuhet në komunikatën e BE-së.
Përveç partnerëve të Kosovës, edhe opozita e kritikoi Kurtin për mos dëgjimin e Amerikës dhe shteteve mike.
Qeveria s’flet rreth planit franko-gjerman
Askush nga Qeveria Kurti nuk po komenton propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Nga Amerika kanë thënë se ky plan shumë shpejt do të bëhet publik. Por qeveria nuk po tregohet transparente për të dhënë informacione rreth këtij propozimi.
Partia Demokratike e Kosovës të shtunën tha se Qeveria e Kosovës nuk është transparente rreth planit franko-gjerman, për të cilin, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi për herë të parë foli në një forum në Beograd.
Tashmë është konfirmuar se në duart e kryeministrit Kurti ekziston një plan franko-gjerman rreth marrëveshjes Kosovë-Serbi.
Propozimin për marrëveshje, s’e kanë parë partitë opozitare, përveç Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, zyrtarë të cilës deklaruan se e dinë çfarë përmban ai.
Në konferencën e se premtes për medie, kryeministri nuk pranoi shumë pyetje nga gazetarët dhe u largua pa treguar arsyen.
Në momentin kur një gazetare iu drejtua atij me pyetje, ai tha “më duhet me shku” dhe kërkoi që pyetjet t’i parashtrohen ministrit Xhelal Sveçla.
Prishtina nën eksperimente të Ramës
Që nga e premtja Prishtina po përjeton tollovi të madhe në trafik si rezultat i një testimi të radhës nga Komuna e Prishtinës.
Testimi i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit bëri që që përveç kolonave të stërzgjatura, të shkaktojë edhe frustrime të mëdha tek shumë qytetarë si rezultat i pritjeve të gjata në trafik.
Komuna e Prishtinës kërkoi mirëkuptim nga qytetarët sa i përket këtij eksperimenti.
“Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Kryeqytetit të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i gjithë procesit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të task forcës rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor”, thuhet në njoftimin e komunës që udhëhiqet nga Përparim Rama.
Eksperimenti rezultoi në jo pak kritika e ironi të cilat targetonin të parin e Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se mund të jetë personi më i urryer. /Nacionale