Gjykata i ka shpallur fajtorë katër të akuzuarit për vendosjen e granatave në një lokal në Prishtinë.
Artan Avdullahu është dënuar me 4 vite e 10 muaj burgim, Bekim Krasniqi me tre vite burgim, Shkëlzen Zariqi me tre vite burgim dhe Vedat Rexhepi me dhjetë muaj burgim me kusht, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Vendimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga trupi gjykues me kryetar Valon Kurtaj.
Sipas aktgjykimit, Avdullahu për veprën penale “Detyrimi” është dënuar me 3 vite e 6 muaj burgim, ndërsa për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, të njëjtit iu shqiptua dënim unik me 4 vite e 10 muaj burgim.
Të akuzuarit Krasniqi dhe Zariqi u dënuan me 3 vite burgim secili veç e veç për veprën penale “Detyrimi”.
Ndërkaq i akuzuari Rexhepi, për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Detyrimi”, është dënuar me 10 muaj burgim me kusht i cili nuk do të ekzekutohet në rast se i njëjti nuk kryen vepër penale në afat prej 2 viteve.
Të njëjtëve në dënimin e shqiptuar do të ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Po ashtu, sipas aktgjykimit i dëmtuari Hajrullah Kryeziu është udhëzuar në kontest juridiko-civil.
Në seancën e së hënës, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, palët në procedurë dorëzuan fjalët e tyre përfundimtare në formë të shkruar, të cilat i elaboruan në pika të shkurta.
Të akuzuarit janë obliguar t’i paguajnë edhe shpenzimet procedurale secili veç e veç nga 200 euro dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Avdullahu po akuzohet se i shtyrë nga të akuzuarit Krasniqi, Zariqi dhe Rexhepi, kishte vendosur granata dore dhe bombola gazi në lokalin e të dëmtuarit Hajrullah Kryeziu, të cilat kishin shpërthyer duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 22 dhjetor 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Artan Avdullahu akuzohet se më 25 maj 2010 dhe 7 shtator 2010, në rrugën “28 Nëntori” në lagjen “Dardania” në Prishtinë, pranë hyrjes së Kompanisë së Sigurimeve “ICT”, me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit, në hyrje të lokalit të të dëmtuarit Hajrullah Kryeziu ka vendosur dy herë radhazi granata dore dhe bombola gazi.
Aty thuhet se më 25 maj 2010, i pandehuri Avdullahu ka vënë dy granata dore dhe një bombolë gazi, ku njëra granatë ka shpërthyer rreth orës 02:00 pas mesnate dhe tjetra granatë është gjetur e pashpërthyer. Ndërsa, më 7 shtator 2010, thuhet se ka vendosur një granatë dore dhe një bombolë gazi, të cilat edhe kanë shpërthyer, me ç’rast për pasojë kanë shkaktuar rrezikim të përgjithshëm për jetën e njerëzve, pasurinë e tyre dhe janë shkaktuar dëme materiale në muret, dyert dhe dritaret e objektit aty pranë.
Me këtë, Avdullahu akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Artan Avdullahu, Bekim Krasniqi, Shkëlzen Zariqi dhe Vedat Rexhepi akuzohen se në kohën dhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë, duke vepruar si anëtarë të grupit, me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, kanë kërcënuar rëndë të dëmtuarin Hajrullah Kryeziu, që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.
Në aktin akuzues thuhet se i pandehuri Avdullahu ka vendosur dy herë radhazi granata dore dhe bombola gazi në pronën e të dëmtuarit Kryeziu, i shtyrë nga të pandehurit Krasniqi, Zariqi dhe Rexhepi.
Krejt kjo, thuhet se është bërë me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit që i njëjti të tërhiqet nga prona e tij, e cila gjendet në fshatin Milloshevë, në sipërfaqe prej 91 hektarë, e privatizuar në valën e 34 të privatizimeve të AKP-së, ku i dëmtuari kishte 25% të sipërfaqes të përgjithshme të tokës, e që kjo përqindje është bazuar në marrëveshjen e bërë në mes të pandehurit Bekim Krasniqi dhe tani të dëmtuarit Hajrullah Kryeziu.
Me këtë, të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Detyrimi”, e mbetur në tentativë, nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me nenin 1 dhe nenin 20 të Kodit Penal.