Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se BE-ja do të bëjë çmos për procesin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, teksa ka shtuar se Evropa nuk është e plotë pa Kosovën.
Ajo këto deklarime i ka bërë përgjatë një konferencë të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, përgjatë vizitës së shefes së Komisionit Evropian në Kosovë, shkruan lajmi.net.
“E nderuara presidente, për ta rikonfirmuar edhe njëherë: vendi i Kosovës është në BE. Për këtë, ju po e dëshmoni për çdo ditë. Evropa nuk është e plotë pa Kosovën. Marrëdhëniet tona me Ballkanin Perëndimor janë të rëndësishme dhe do të intensifikohen çdoherë e më shumë. Kështu që, ju siguroj se BE është i përkushtuar më shumë se kurrë në procesin e zgjerimit dhe do t’ju mbështesim aq sa mundemi”, deklaroi Von der Leyen.
Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, e para e Komisionit të Evropës ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.
“Ju kam dëgjuar për aspektin e liberalizimit të vizave dhe e dini se keni një aleat dhe mua personalisht, Kosova e meriton liberalizimin e vizave. E di sa është e rëndësishme kjo për ju, i keni përmbushur të gjitha standardet. Ne kemi konfirmuar plotësimin e të gjitha kritereve në korrik të 2018-ës”.
E para e institucionit të BE-së tutje i bëri thirrje Kosovës t’i bashkëngjitet gazit evropian, duke thënë se nëse marrin aprovimin, financimi për procedurat iniciuese mund të fillojnë nga janari i vitit të ardhshëm.
“Natyrisht, se edhe ju e ndjeni në Kosovë efektin e kësaj sjellje, nëpërmjet rritjes së çmimeve. Mirëpo, ju siguroj që Bashkimi Europian nuk dorëzohet pranë këtij shantazhi. Ne jemi krahpërkrah për ju. Duhet t’i bashkoheni përpjekjeve për blerje të gazit, do të përiftoni edhe nga predispozitat e BE-së për tavanin e çmimeve të gazit. Po përpiqemi që të mos i lëmë çmimet të shkojnë shumë lart. Tani për tani, mund të keni nevojë për mbështetje të menjëhershme, andaj ne do t’ju garantojmë mbështetje të menjëhershme dhe do të finalizojmë të gjitha procedurat e nevojshme për financimin që nga janari”, deklaroi ajo.