Rakiqi paralajmëroi bllokim rrugës, kundërshtari i Listës Serbe konteston qëllimin real të Albin Kurtit për targat

Afati i fundit për ndërrimin e targave për serbët e Kosovës skadon pas katër ditësh, më 31 tetor. Numri i atyre që i kanë ndërruar targat raportohet të mos jetë as 20, e numri i atyre që s’i kanë ndërruar raportohet të jetë mbi 9 mijë sosh. Çka mendojnë serbët e Kosovës për një gjë të tillë dhe çka po ndodh?

Çështja e ndërrimit të targave është shndërruar pak a shumë në debate politike argëtuese te shqiptarët e Kosovës, ku palët e përfshira provojnë të fitojnë pikë në sy të opinionit publik. “Kurti po mbron sovranitetin,” ose “Kurti po tregohet hipokrit, pasi ka pranuar më herët letërnjoftimet e strukturave ilegale”, “Kurti po rrezikon arritjen e marrëveshjes me Serbinë,” e të tjera.

Por, kjo është një çështje që i prek direkt serbët e Kosovës përtej bindjeve të tyre partiake politike. Qytetarëve serbë të cilët kanë ndërruar targat rrezikohen nga djegia e veturave. Edhe një tjetri iu djeg vetura gjatë ditës së djeshme në Leposaviq.

Pra, ata janë mes rrezikut për djegie të veturës nga strukturat ilegale serbe dhe rrezikut për konfiskimin e veturës nga Policia e Kosovës pas datës 31 tetor. Policia në anën tjetër, deri tash nuk i ka kthyer përgjigje Nacionales se sa qytetarë janë arrestuar për djegie veturash – si një masë që do t’i bënte të ndiheshin më të sigurt qytetarët tanë serbë.

ShBA ka kërkuar shtyrje të afatit të vendimit për targa për 10 muaj, me emisarin Escobar që u shpreh se kjo ishte “kërkesë personale e Sekretarit Antony Blinken”. Kurti ka refuzuar!

Destabilizim?
Kosova e ka shtyrë një herë afatin, dhe Kurti duket se nuk do të zmbrapset sërish. Ministri i tij, Goran Rakiq, paralajmëroi bllokim të rrugëve gjatë ditës së sotme.

E meqë nuk duam të flasim me Listën Serbe, ne komunikuam me kundërshtarin e tyre politik në veri, z. Aleksandër Arsenijeviq.

Kryetari i “Mbijetesës Serbe” e sheh megjithatë me shumë shqetësim gjithë atë që po ndodh. Ai thotë se Kosova madje as nuk ka kapacitete për ri-regjistrimin e 9 mijë veturave të qytetarëve derisa ka vënë në pikëpyetje qëllimin real të Kurtit.

“Kurti ka përjashtuar çfarëdo mundësie kompromisi dhe me kokëfortësi i bie murit. Kosova madje as nuk ka kapacitete për ri-regjistrimin e 9 mijë veturave deri më 31 tetor dhe qytetarët duan ta bëjnë atë gjë. Në të njëjtën kohë, ai nuk iu ka lënë kurrfarë qytetarëve kurrfarë opsioni përpos të luftojnë për pronën e tyre private (veturat), dhe ndoshta ky është edhe qëllimi i tij. Pas 31 tetorit, policia rrugore nuk do të ketë kapacitetin për t’i hequr të gjitha veturat nga trafiku sepse nuk ka bile as hapësira se ku do t’i parkonte ato (në rast se do t’i konfiskonte të gjitha). Përshkallëzimi mund të ndodh vetëm nëse njësitë speciale sillen në mënyrë joprofesionale ndaj qytetarëve.”

Policia e Kosovës nuk ka treguar nëse do të përdor njësitë speciale për të vënë në zbatim vendimin e targave, por besohet gjerësisht se problemet mund të nisen në pikat kufitare.

Arsenijeviq ka deklaruar edhe se ky vendim është “tokë pjellore për trazira dhe destabilizim” derisa shton se kjo “mundet vetëm të homogjenizojë serbët në Kosovë në mbrojtje të pronës së tyre private”.

Politikani i ri serb ka edhe një rekomandim për qytetarët serbë në mënyrë që t’i ikin përshkallëzimit të situatës.

“Unë iu rekomandoj qytetarët që të lënë veturat e tyre me targat KM, GL, PR, PZ, DjA, PE dhe UR në parking gjatë ditëve të para të muajit nëntor, në mënyrë që të mos ketë provokime derisa ta shohim se çka do të ndodh. Gjithnjë duhen dy palë për të luftuar, por ky është përjashtim sepse veç z. Kurti mjafton.”

Kujtojmë se kryeministri Kurti kishte premtuar dialog të brendshëm me serbët e Kosovës, por rezultatet e këtij procesi nuk i ka bërë publike deri tash./Nacionale