Pronarët dhe punonjësit e bizneseve të ndryshme të cilët kanë punë me klientë, shpesh herë hasin në mosmarrëveshje me qytetarë të cilët s’janë të kënaqur me shërbimet. Këta të fundit me raste eskalojnë edhe në ofendime e kërcënime ndaj tyre.
Ndër bizneset të cilat kanë më së shumti punë me qytetarë, janë padyshim edhe dyqanet për shitjen dhe servisimin e telefonave dhe pajisjeve tjera teknologjike.
Punëtori i një mobishopi në komunën e Fushë Kosovës është përballur së fundi me një kërcënim serioz nga një klient i cili kishte dërguar atje telefonin e tij për ta rregulluar.
Sinjali mëson se 32-vjeçari pas një mosmarrëveshje me punëtorin, dyshohet se e ka kërcënuar atë me thikë duke i kërkuar që t’ia kthejë paratë ose në të kundërtën do t’ia thyejë lokalin.
Përballë kësaj situate, viktima është detyruar që të denoncojë rastin në Polici, të cilët kanë arritur që të arrestojnë personin e dyshuar.
32-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Kanosje’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.