Një person është arrestuar për incidentin e djegies së flamurit të Serbisë në një ndeshje basketbollit kosovar në Gjakovë të dielën, njofton Policia e Kosovës.
Tifozët e Vëllaznimit u dëgjuan duke e fishkëllyer himnin shtetëror të Kosovës dhe duke e kënduar zëshëm atë Shqipërisë në të njëjtën kohë në një palestër të stërmbushur në Gjakovë, para ndeshjes së klubit të tyre kundër Trepçës të dielën mbrëma.
Disa tifozë, njoftoi policia, e kishin djegur flamurit serb para ndeshjes dhe publikuar një video nga ky incident në rrjetin social TikTok.
“Gjakovë. Me 25.10.2022 lidhur me rastin, pas hetimeve të zhvilluara është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës të mërkurën.
Tifozi, identiteti i të cilit s’është bërë i ditur, u arrestua për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.
Policia i kishte nisur hetimet për këtë incident të hënën, një ditë pas ndeshjes në Palestrën “Adem Jashari” në Gjakovë.
Përveç incidentin me flamur, tifozët gjakovarë e fyen edhe himnin shtetëror të Kosovës, duke e shpërfillur plotësisht atë në çastin kur u lëshua në palestër para fillimit të ndeshjes.
Tifozët gjakovarë u dëgjuan duke e fishkëllyer himnin e Kosovës sapo nisi të këndohej, si dhe duke e kënduar atë të Shqipërisë njëkohësisht në mënyrë që ta bënin të padëgjueshëm atë shtetëror. /Nacionale