Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se e mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për një marrëveshje finale që mund të arrihet “ditëve në vijim”.
Në një adresim për mediat, zëdhënësi i Departamentit, Ned Price, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë konsistente dhe përkrahëse për dy vendet.
Price shtoi se e përkrahin edhe Bashkimin Evropian si ndërmjetësues në dialog.
“E mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo është arsyeja pse i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar, ishte në Prishtinë dhe në Beograd për të mbështetur këtë proces. Siç e dini, edhe vetë Sekretari ka qenë thellësisht i angazhuar në këtë. Ai foli me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti në fillim të këtij muaji, më 11 tetor”, tha Price.
Zëdhënësi i DASh, po ashtu ka theksuar se sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, ka kërkuar “angazhim të vazhdueshëm dhe konstruktiv për të siguruar paqe dhe stabilitet në rajon”.