Dramë në familje: Bashkëshortët rrahin njëri-tjetrin, burri grushton gruan – ajo e sulmon me thika

Rritja e rasteve të dhunës në familje në Kosovë është bërë mjaft shqetësuese. Në të shumtën e këtyre rasteve viktima janë gratë, që përjetojnë dhunë qoftë nga bashkëshortët e tyre apo edhe familjarë të tjerë. Por ka raste kur edhe ato përshihen në rrahje dhe përfundojnë në Polici. Kështu ka ndodhur të dielën pasdite, në rrugën “Mbreti Pirro” në Pejë, ku një çift janë përleshur me njëri-tjetrin.

Konflikti verbal mes tyre dyshohet se nisi pas një zënke, e cila pasoi me sulm, me ç’rast dyshohet se dy palët e kanë rrahur njëri-tjetrin, duke pësuar lëndime trupore, për çka u desh edhe ndërhyrja e Policisë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se sipas informacioneve të para, burri i dyshuar e ka goditur me grushte gruan e tij, deri në atë pikë sa si pasojë e forcës së përdorur ka thyer tavolinën. Në vetëmbrojtje, gruaja viktimë dyshohet se ka marrë disa thika nga kuzhina dhe iu ka vërsulur, duke i shkaktuar lëndime në fytyrë.

Ajo çka e bën edhe më të rëndë këtë rast është se gjithçka ndodhi para fëmijës së çiftit, i moshës 6-vjeçare, i cili pa me sy dhunën në mes të babait e nënës.

Posa Policia ka marrë informacionin për këtë rast të dhunës, njësitë policore kanë intervenuar, duke arrestuar të dyshuarit, të cilët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim. Pas përfundimit të procedurave, burri i dyshuar është ndaluar për 48 orë, ndërsa gruaja është liruar për t’u hetuar në procedurë të rregullt.