Gazeta Sinjali raportoi sot për një incident që ndodhi gjatë ditës së djeshme në fshatin Qerim të Gjakovës, ku u kërcënua një burrë dhe u sulmua djali i tij, nga pronari i një pishine. Ky i fundit përfundoi në ndalim policor, pasi babë e bir e denoncuan në Polici.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që u arrestua lidhur me këtë rast është G.Përkola, pronar i pishinës “Arbi”.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e pasdites, pasi viktimat kishin shkuar në pishinën e të dyshuarit. Posa babai me të birin janë larguar nga vendi i ngjarjes, pas tyre është vënë në ndjekje me veturë i dyshuari, i cili për një moment ka nxjerrë nga vetura djalin 16-vjeçar, të cilin e ka goditur nëpër trup, duke i shkaktuar lëndime.
Për të mos mbaruar me kaq, i njëjti dyshohet se e ka kërcënuar edhe babain e të miturit, duke i thënë se “asgjë nuk t’i kam bërë djalit, çka të boj ty, gjyksin ta boj shporë, ta mushi plumba”.
Përballë kësaj situate, babë e bir kanë denoncuar rastin dhe si rezultat Policia është vënë në lëvizje, duke arrestuar të dyshuarin.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, për veprat penale “kanosje” dhe lëndim i lehtë trupor”.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja të rastit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.