Ikja nga Kosova që një kohë të gjatë është shndërruar në fenomen. Mijëra qytetarë janë larguar nga Kosova, për një apo arsye tjetër, duke e tkurrur popullsinë e Kosovës. Madje, në bazë të statistikave zyrtare, ndërmjet viteve 2013-2022, gjithsej 252 mijë njerëz kanë zgjedhur të ikin nga Kosova.
Shumica nga ta kanë zgjedhur botën perëndimore, kryesisht shtetet evropiane, por duke mos përjashtuar as Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Natyrisht, një pjesë e tyre me kalimin e kohës edhe janë riatdhesuar, megjithatë sipas ASK-së gjatë viteve 2013-2022, 252 mijë persona (matje bruto) kanë emgiruar legalisht ose ilegalisht nga Kosova.
Më së shumti Kosovarë kanë ikur gjatë vitit 2014, 2015 dhe 2021, kohë kur qeverinë kosovare e udhëhiqte Isa Mustafa, Hashim Thaçi dhe Albin Kurti respektivisht. Pra Mustafa, Thaçi e Kurti, përkundër që ishin kundërshtarë politikë, ata ndajnë rekordin e zi për ikjen e qytetarëve.
Për më shumë, trajketorja e emigrimit ndërkombëtar ka filluar të rritet pas pandemisë, me 42 mijë kosovarë që kanë ikur nga Kosova.
Lamtumirë Kosovë…
Niset kosovari për kurbet mund të jetë ndoshta refreni që do ta përshkruante më së miri dekadën e kaluar dhe dy vitet e para të dekadës së tretë të shekullit 21.
Ndonëse Kosova u qeveris nga shumë kryeministra, asnjëri nga ta nuk arriti të krijojë kushte të mjaftueshmë që qytetarët të mos largohen nga vendi. Sepse, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për 9 vite nga Kosova janë larguar 252,904 njerëz.
Rekordin e zi për ikjen e qytetarëve e mban bindshëm Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës. Vetëm gjatë vitit të parë të qeverisjes së tij, Kosovën e lëshuan 75 mijë njerëz.
“Emigrimi ndërkombëtar: numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2015 është vlerësuar të jetë gjithsej 74,434 banorë.”, shkruante ASK në raportin e tyre për emigrimin ndërkombëtar gjatë vitit 2015.
E në vitin e dytë të qeverisjes së Mustafës, Kosovën e lëshuan gjithsej 22 mijë e 12 banorë.
“Emigrimi ndërkombëtar: numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2016 është vlerësuar të jetë gjithsej 22,012 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë.”, shkruante ASK në raportin për vitin 2015.
Një rival i Mustafës, që më vonë u shndërrua në bashkëpunëtor, Hashim Thaçi e mban pozitën e dytë në këtë “garë” për rekordin e zi.
“Emigrimi ndërkombëtar: numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2014 ishte gjithsej 45 333 banorë. Në këtë numër janë përfshirë të gjithë emigrantët, legalë dhe ilegalë.”, sipas raportit të ASK-së.
Ndërsa në vitin 2013, gjithsej 20 mijë persona u larguan nga Kosova e qeverisur nga atëherë kryeministër Thaçi.
“Emigrimi ndërkombëtar: numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2013 ishte gjithsej 20.246 banorë. Në këtë numër janë përfshirë të gjithë emigrantët legalë dhe ata ilegalë.”, shkruan ASK.
E pas Mustafës e Thaçit, vendin e tretë e zë z.Albin Kurti, kryeminstër aktual i Kosovës. Vetëm në vitin e parë të qeverisjes së tij, ndonëse erdhi në pushtet në mars të 2021, nga Kosova janë larguar 42 mijë persona.
“Emigrimi ndërkombëtar- numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2021 është vlerësuar të jetë gjithsej 42,728 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë.”, shkruan ASK në raportin e vitit 2021.
Më së paku emigrim kishte në vitin 2020, që është edhe vit pandemik.
“Emigrimi ndërkombëtar: numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2020 është vlerësuar të jetë gjithsej 8,724 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë.”, vlerëson ASK.
Edhe viti 2019, pra viti i fundit para pandemisë, Kosovën e lëshuan mbi 34 mijë persona.
“Numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2019 është vlerësuar të jetë gjithsej 34,911 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë.”, theksohet në raportin e ASK-së.
Ndërsa 28 mijë njerëz e lëshuan Kosovën gjatë vitit 2018.
“Emigrimi ndërkombëtar: numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2018 është vlerësuar të jetë gjithsej 28,164 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë.”, raporton ASK.
E çuditërisht, në vitin 2017, pati shumë më pak ikje se zakonisht, me vetëm 11 mijë qytetarë që “i çuan duartë” nga Kosova.
“Emigrimi ndërkombëtar: numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2017 është vlerësuar të jetë gjithsej 11,263 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë.”, thuhet në raportin e ASK-së për vitin 2017. /Nacionale
* Ky shkrim numëron vetëm emigrimin, por jo edhe riatdhesimin e mundshëm të personave që kanë zgjidhur të emigrojnë.