Kryeministri Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të LVV-së, dje ka mbajtur një fjalim para grave të partisë së tij.
Në organizatën e gruas së VV-së (GVV), Kurti elaboroi pse partia e tij, që dikur ishte kundër forumeve të grave, zgjodhi të formojë një të tillë.
Por, ajo që ra në sy ishte fjala e Kurti për popullin, i cili tha se e ka tejkaluar LVV dhe se ata duhet ta ndjekin atë.
“Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit kanë qenë mësim i shumëfishtë për neve. Përveçse është votuar LVV në mënyrë plebishitare, votimi masiv i grave për ne dhe i grave brenda listës sonë që e tejkaluan kuotën ka qenë dëshmi që populli na ka tejkaluar neve dhe minimumi që ne duhet të bëjmë është ta ndjekim atë (popullin).”, tha Kurti.
Për më shumë, lideri i LVV-së e vazhdoi fjalimin e tij lajkatues ndaj “popullit”, duke e cilësuar “popullin” si lider të tij.
“Nëse ne prijmë për disa cështje e tema të caktuara kauza e barazisë gjinore, ne duhet ta ndjekim popullin i cili po na prinë neve. Minimumi që mund të bëjmë është ta ndjekim popullin, sepse popullin e kemi lider dhe në këtë kuptim përgjegjësia jonë është shumë e madhe sepse është jo vetëm ndaj gruas po është edhe ndaj popullit i cili kaq shumë deshi që në përfaqësim të kemi gra ne institucionet e shtetit. Këto dy çështje na kanë shtyrë të punojmë më shpejtë në reformën organizative dhe si rezultat tanimë e kemi GVV-në si strukturë.”, theksoi tutje Kurti.