Këshilli i Prindërve të Kosovës ka mirëpritur mbështetjen e institucioneve për aktivitete jashtëshkollore gjatë fundjavës, mirëpo ka rikujtuar se i thonë jo mësimit të shtunave.
KPK në një postim në Facebook shkruan se dy ditë e fundjavës janë për rifreskim të mendjes e trupit, çlodhje e pushim për fëmijët, në mënyrë që java vijuese të jetë sa më produktive në shkolla.
Postimi i plotë:
FUNDJAVA ERDHI!
Djem e vajza, anembanë Kosovës, të shtunave e të dielave marrin pjesë në gara të ndryshme në futboll, basketboll, vrapim, karate, xhudo, gjimnastikë, hendboll, tenis, ping-pong e sporte të tjera.
Vajza e djem gjithandej vendit të shtunave zhvillojnë aktivitete kulturore (teatër, vallëzim, balet, muzikë e art), apo edhe ndjekin kurse të ndryshme për gjuhë të huaja, kodim e zanate.
Djem e vajza në çdo komunë relaksohen në fundjavë me vizita familjare, ecje në natyrë, lexim sipas dëshirës, lojëra kompjuterike e plot aktivitete të tjera të moshës.Janë dy ditë shumë të rëndësishme për to e për ta, të marrin kënaqësi, të luajnë e bëjnë çka vetë duan, të garojnë e sfidohen me aktivitete jashtëshkollore. Prindërit janë gjithnjë gati për mbështetje!
Dy ditë për rifreskim të mendjes e trupit, çlodhje e pushim. Dhe të gjitha këto, si parakusht, që java vijuese të mund të jetë sa më produktive në shkolla.Këshilli i Prindërve iu uron të gjithë fëmijëve fundjavë të suksesshme, përplot kënaqësi e argëtim! Mirëpresim mbështetjen e institucioneve për aktivitete jashtëshkollore!
JO mësimit të shtunave, JO mësimit me zor!