Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, me shumë siguri tha se s’ka propozim gjerman për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ai këtë e quajti gënjeshtër dhe tha se komunat serbe kanë të drejtën që të bëjnë asociacionin e tyre bazuar mbi ligjet dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe jo të krijohet një pushtet i tretë në Kosovë.
“Ashtu siç edhe e shkruajmë zakonisht, duke e vendosur në thonjëza, e ne e dimë mirë që kur vendoset diçka në thonjëza është gënjeshtër, apo thënë më butë një e pavërtetë. Që do të thotë, nuk ka propozim gjerman sepse ka vetëm një propozim dhe ai është Asociacioni bazuar në të drejtën e lirisë së asociimit sipas ligjit të Republikës së Kosovës. Nuk do të ketë pushtet të tretë në Kosovë, nuk ka Zajednicë, nuk ka të drejta ekzekutive që derivohen nga pushteti qendror apo pushteti lokal, tek asociacionet e organizimet që mund të paraqesin pushtet të tretë sepse kjo është e ndaluar në Republikën e Kosovës”, ka thënë Abazi në konferencën e përjavshme të tij në Kuvend.
Ai tha se nëse dikur ka qenë e paparanueshme meqë është mbrojtur kushtetushmëria, sot është edhe më e papranueshme sepse kjo kërkohet “nga një shtet që ka bërë gjenocidin ndaj të tjerëve, vazhdon të përkrahë sot gjenocidin që po bëhet ndaj të tjerëve dhe kërkon të drejta jashtëkushtetuese për një grup etnik që përbën më pak se 5% të popullatës dhe ndërkohë ka të drejtat më të mëdha që ndonjë grup etnik në kontinentin e Evropës”.
“Pyetja është çfarë ju duhet një izolim i tillë në vija etnike përbrenda një asociacioni të tillë?! Por, në asnjë formë nuk duhet lejuar që fokusi i procesit të largohet nga detyrimi që Serbia ka për ta njohur Kosovën, detyrim ky që vije nga domosdoshmëria për të parë një Serbi tjetër, nga ajo se çfarë ka qenë dhe vazhdon të jetë sot”.
Abazi shtoi se asnjë propozim, pavarësisht se nga vjen dhe si e ka emrin, nuk mund ta ndryshojë kursin e Kosovës për të qenë shtet demokratik, që garanton të drejtat e secilit individ në bazë të kushtetutës dhe ligjit.