Fillon rritja e interesit të kredive, përfshihen edhe ato aktive variabile

Një bankë komerciale ka nisur rritjen e interesit të kredive, duke përfshirë edhe ato aktive variabile. Kjo bankë ka nisur t’i thërrasë qytetarët për t’i informuar tashmë për ndryshimet që do t’i prekin nga këstet në muajin e ardhshëm. Arsyetim janë përmendur dinamika globale dhe ndryshimet nga Euribori, si normë referente. Rritja është mbi 0.6 për qind interes.

Banka ka njoftuar klientët se “tre muajt e parë e ka paguar vetë rritjen e interesit, me shpresën se do të ketë ulje në të ardhmen, por tashmë kjo është e pamundshme”.

“Si rrjedhojë do të ketë rritje në interes në kredinë tuaj hipotekare për gjashtë muaj”, kanë thënë nga banka në thirrjet telefonike për qytetarët.

Po ashtu është paralajmëruar se lëvizja e radhës, pas gjashtë muajve, do të bëhet varësisht lëvizjes së Euriborit e se nuk është përjashtuar mundësia për ngritje të mëtejme të normës së interesit.

Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë thënë se s’ka kompetenca të politikës monetare e se normat e interesit përcaktohen nga dinamikat globale në normat e interesit dhe nga faktorë në tregun e brendshëm. Është pranuar se në kreditë variabile mund të ketë lëvizje, por jo edhe tek ato fikse.

“Për kreditë ekzistuese, shumica e të cilave janë me norma fikse, nuk ndryshon kosto/interesi/kësti; ndërkaq për kreditë me norma variabile të interesit, mund të ndryshojë norma e interesit, varësisht nga ndryshimi i normës referente, kryesisht Euriborit”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, të martën.

Lëvizja e bankave në Kosovë pason ato të Evropës, por dallimi është se ato kanë vepruar me norma negative që nga viti 2014 e bankat në Kosovë me normat më të larta në rajon. Norma mesatare e interesit në Kosovë është 6.1 për qind.

Në Kosovë veprojnë 11 banka komerciale.

Vetëm gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti vlera e kredive të reja është mbi 800 milionë euro.