​Haxhiu: Mbi 60 raste të dhunimeve seksuale në proces të hetimit

Mbi 60 raste janë aktualisht duke u hetuar për dhunime seksuale, ndërkaq deri më tani gjyqësori në Kosovë kanë arritur të dënojnë vetëm një person.

Dokumentimi i krimeve të dhunës seksuale është i vështirë, për shkak të ritraumatizimit të të mbijetuarve të këtij krimi dhe kohës së gjatë që ka kaluar.

Kështu u tha në konferencën ndërkombëtare “Dokumentimi i dhunës seksuale në konflikt: standardet dhe praktikat të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se populli i Ukrainës ka dëshmuar se çfarë duhet të bëhet për vendin. Sipas saj, në Kosovë ka pasur krime lufte e gjenocid, por Serbia e ka përdorur armën e dhunimit seksual për të shkatërruar dinjitetin shoqëror.

“Shumë vonë pas më shumë se 10 vjet të përfundimit të luftës kanë filluar ta trajtojnë seriozisht. Së pari duke njohur statusin. Kuvendi shumë vonë e ka njohur statusin e viktimave, madje atë ditë ka pasur diskutime qË kanë qenë të papranueshme. Dokumentimi i krimeve seksuale nuk është i lehtë, për shkak se kemi të shprehur mundësinë e ritraumatizimit, sepse nuk është e lehtë teksa një i mbijetuar flet për traumat që ka përjetuar. Për gjithë ne të cilët jemi të përfshirë në këtë proces, qëllim parësor kemi krijimin e një hapësire ku të mbijetuarat ndjehen të sigurta të flasin për përjetimet e tyre. Janë vetëm 62 raste në proces për dhunime seksuale dhe vetëm një dënim për krime lufte”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo tha se aktualisht janë mbi 60 raste të dhunimeve seksuale në proces të hetimit.

Sipas saj, Ukraina nuk duhet të ndjek shembullin e Kosovës për dokumentim, meqë për shkak të vonesës shumë nga të mbijetuarit kanë vdekur.

Drejtoresha e QKRMTS-së, Feride Rushiti ka folur për rëndësinë e dokumentimit të krimeve të dhunës seksuale. Ajo deklaroi se deri tani kanë arritur të dokumentojnë 900 raste të këtij krimi nga lufta e fundit në Kosovë.

“Kemi arritur që kjo kategori e heshtur të jetë në nivel të barabartë me kategoritë tjera të dala nga lufta. Kosova tani përmes reparacionit administrativ është praktikë e mirë dhe po ndahet edhe në vende tjera. Jemi pikërisht të tregojmë se krimet e dhunës seksuale duhet të dokumentohen, për shkak se grave e burrave iu duhet drejtësi. Këto janë krime që shpesh mbesin pa u dokumentuar. Kryesisht si organizata për të avokuar për ndryshime ligjore është dashur të thirremi në burime ndërkombëtare”, ka thënë Rushiti.

Ajo shtoi se ende ky krim po mbetet i heshtur dhe i mbuluar me petkun e turpit.

E ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly tha se të mbijetuarave duhet tu ofrohet drejtësi.

“Të gjitha të mbijetuarit kanë të drejtë për drejtësi dhe kjo nuk është e garantuar, por është element i rëndësishëm për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen. Dokumentimi i ofron viktimave një zë, mbrojtja e viktimave, anonimiteti dhe mbështetja psikologjike. Të luftojmë stigmatizimet e ndryshme. Gjithashtu mendoj edhe për atë që kemi ne të gjitha shoqëritë sistemin patriarkal të vlerave. Është një fenomen global që bie në sistemin patriarkal të vlerave. Dhuna është krim. Viktima është viktimë dhe duhet të ketë mbështetje dhe drejtësi nga institucionet dhe vet familja”, ka deklaruar ai.