Prokurori Armend Hamiti ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, për rastin e biznesmenit Bedri Rexhepi. Aktakuza është ngritur për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje.
Prokurori tha se motivi i vrasjes dyshohet të jenë 30 mijë euro.
“Kam arritur të vërtetoj dhe kam ngrit aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, në drejtim të veprave vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe dëmtimi i kufomave. Motivi i kryerjes së këtyre veprave është i ulët. Sipas hetimit tonë, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, për 30 mijë euro”, ka deklaruar Hamiti.
Bedri Rexhepi është zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar. Një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, e braktisur.
Lidhur me zhdukjen e Bedriut, policia arrestoi Jeton Vllasaliun, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e tij.
Më vonë janë arrestuar edhe vëllai dhe kunata e Vllasaliut.
Pas zhdukjes së Bedriut, vëllezërit e tij patën deklaruar për Express se i dyshuari Jeton Vllasaliu ka qenë klient i 38-vjeçarit, pasi ky i fundit kishte në pronësi një kompani të veturave me qira.
“Ka qenë klient i vëllait, deri në kohën kur është arrestuar ka qenë me veturë të vëllait. Ka qenë i rregullt me pagesa, pak me vonesa, por ka qenë. Për këtë s’kanë pasur ndonjë problem”, pati deklaruar deklaruar Adnan Rexhepi.
Ai kishte treguar se vëllai i tij e ka pasur me vete një shumë të parave, por familja nuk e di sa kanë qenë.
“Shumë të parave ka pasur, por sasinë nuk e dimë as ne. Dyshimet janë të gjithanshme, në çdo anë dhe çdo send po dyshojmë, por s’po dimë konkret diçka hala”, kishte deklaruar ai. /Express