Kryeministri Albin Kurti i ka pritur në zyrën e tij në Qeveri anëtarët e bordit të drejtorëve të KEK-ut, kryesuar nga Skender Haziri. Në këtë takim, e pranishme ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se rëndësia e punës së KEK-ut, veçanërisht gjatë krizës energjetike dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet kjo ndërmarrje ishin dy prej temave të këtij takimi.
“Infrastruktura dhe teknologjia e vjetër e termocentraleve vazhdojnë të mbeten sfidat kryesore. Përkundër kësaj, Bordi i Drejtorëve e njoftoi kryeministrin Kurti rreth masave dhe përgatitjeve, që KEK-u ka bërë për periudhën e dimrit”, tha ZKM.
Kurti e ka falënderuar bordin për punën, ndërsa sipas ZKM-së, në takim ka thënë se ky dimër do të varet shumë nga optimizimi i kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike të vendit dhe racionalizimi i shpenzimit të energjisë elektrike nga ana e institucioneve publike, qytetarëve dhe bizneseve.
“Duhen të dyja, që ky dimër të tejkalohet më lehtë”, citohet të ketë thënë kryeministri.