Gjykata jep një detaj për tre vëllezërit e dyshuar për rrahjen e Imamit në Podujevë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për Gazetën Express se tre vëllezërit Murturi të dyshuar për rrahjen brutale të Imamit të xhamisë së Lupçit të Poshtëm në Podujevë, Zeqir Beqiri, ndodhën në paraburgim deri me 22 tetor.

Tre vëllezërit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.

Këto informacione i ka dhënë për gazetën zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se të pandehurit B.M, A.M dhe SH.M gjenden nën masën e paraburgimit deri me datë 22.10.2022, pasi që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Vrasje në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës” tha Gashi.

Imami qëndroi rreth tri javë i shtrirë në spital, por akoma ndodhet në pushim mjekësor për shkak të lëndimeve të rënda trupore që i janë shkaktuar. Dy muaj pas sulmit, Imami Zeqir Berisha rrëfeu ngjarjen ekskluzivisht për gazetën.

Nga goditjet e forta, Imamit i është çarë edhe kafka, ka pësuar lëndime në fytyrë, në dorë dhe në gjunjë.

“Më kanë goditë në kokë me mjete të forta saqë edhe kafka është çarë. Kur më kanë dërgu në spital ka qenë rrezik me shpërthy oksigjeni nga truri i madh, derisa më kanë dërgu në spital në Emergjencë në Prishtinë nuk kam ditë asgjë, atje më ka ardhë vetëdija pak, derisa më kanë shti në operacion. Kam qenë i lënduar në fytyrë, kam pas krisje të dorës, lëndim të gjunjëve”, tha Berisha.