Pritet zëvendësimi i Martin Berishajt

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është përfolur për shumë afera korruptive, nuk do të jetë në këtë pozitë edhe për një mandat. Kjo pasi Qeveria e Kosovës ka propozuar një emër tjetër për shef të misionit diplomatik të Kosovës në kryeqytetin kroat.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka propozuar Hasnija Ilazin për ambasadore të Kosovës në Zagreb të Kroacisë.

Gazeta Nacionale ka siguruar shkresën e Konjufcës drejtuar Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Kosovës, përmes së cilës ai kërkon shqyrtimin e propozimit për emërimin e Ilazit në këtë pozitë diplomatike.

Në dokument, Konjufca përmend përvojën akademike, institucionale dhe profesionale të Ilazit, duke veçuar punën e saj në fushën e arsimit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

“Në rrafshin e drejtimit institucional dhe arritjeve profesionale, znj. Ilazi ka shërbyer si Kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (2021–2026), ku ka udhëhequr procese kyçe të ngritjes së cilësisë dhe përshtatjes me standardet evropiane, si dhe mban titullin Presidente Nderi e këtij institucioni.”, thuhet në shpresë.

Në të njëjtin paragraf, ai përmend edhe pozitat e tjera që Ilazi ka mbajtur në Universitetin e Prishtinës.

Konjufca, në shkresën e tij, thekson edhe njohjen e gjuhëve nga kandidatja.

“Znj. Hasnija Ilazi zotëron gjuhën shqipe dhe gjuhën kroate në nivelin e gjuhës amtare, si dhe zotëron në nivel të lartë profesional gjuhën angleze (C2).”

Ministri i Jashtëm vlerëson se, duke marrë parasysh profilin e saj akademik dhe lidhjet me Kroacinë, Ilazi i ka kapacitetet e nevojshme për ta përfaqësuar Kosovën në Zagreb.

Në fund të shkresës, Konjufca i kërkon Komisionit që, në përputhje me procedurat ligjore, ta shqyrtojë dhe të japë rekomandimin lidhur me propozimin për emërimin e saj.

Afërsia me VV-në

Hasnija Ilazi, e cila vjen nga fusha akademike, është përfolur edhe për afërsinë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe përkrahjen ndaj kësaj partie.

Kjo aferës i ishte shpërblyer asaj me marrjen e pushtetit nga VV-ja në vitin 2021.

Me ardhjen e VV-së në pushtet, Hasnije Ilazi ishte zgjedhur anëtare Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC).

Gjatë një seance të Kuvendit, në qershor të vitit 2021, me votat e deputetëve të VV-së ajo kishte marrë këtë mandat 5-vjeçar.

Më pas, ajo kishte marrë edhe kreun e këtij institucioni.

Bordi i KShC-së, në mbledhjen konstituive të mbajtur më 28 qershor, kishte zgjedhur Hasnije Ilazi kryetare të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Në këtë mbledhje, e cila ishte kryesuar nga ish-Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Ilazi me 5 vota për ishte zgjedhure e këtij institucioni.

Zgjedhje e Ilazit ai anëtare e KShC-së në vitin 2021 kishte nxitur edhe reagimin e opozitës.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e kishte quajtur atë edhe si “mentore e Rron Gjinovcit”, i cili njihet si përkrahës i madh i kryeministrit Albin Kurti.

Shkon Berishaj

Izali do ta pasoi në këtë pozitë ambasadorin e deritashëm të Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj, i cili është përfolur për disa afera korruptive në lidhje me blerjen e energjisë elektrike.

Ambasadori Berishaj ka qenë objekt i disa hetimeve dhe raportimeve mediatike në Kosovë dhe rajon për dyshime që lidhen me transaksione financiare që kanë të bëjn me blerjen e energjisë elektrike.

Televizioni slloven Planet TV kishte raportuar i për një skandal financiar ku përfshihej Berishaj dhe politikani slloven Robert Golob.

Sipas këtyre raportimeve, kompania e Berishajt në Mal të Zi, “MB Consulting”, kishte marrë qindra mijëra euro (rreth 600 mijë euro, e më vonë u raportua edhe për shifra deri në 1 milion euro) nga dega në Beograd e kompanisë sllovene të energjisë “GEN-I”.

Ai ka qenë cak i hetimeve nga drejtësia kosovare edhe për disa çështje tjera.

Pavarësisht kërkesave të opozitës dhe shoqërisë civile për shkarkimin e tij nga pozita e ambasadorit, Qeveria dhe kryeministrin Albin Kurti e kanë mbrojtur Berishajn dhe nuk e ka shkarkuar.

Emërimet tjera partiake në diplomaci

Javën e kaluar gazeta Nacionale ka raportuar se Fatmir Curri, ish-lëshilltar i Albin Kurtit, pritet të emërohet ambasador i Republikës së Kosovës në Bruksel, në vend të Agron Bajramit.

Nacionale ka publikuar shkresën e Konjufcës që i kërkon Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Kosovës miratimin e propozimit për emërimin e Currit ambasador në Bruksel.

Ndërsa, javë më parë gazeta ka raportuar për emërimet e shumta partiake në diplomaci.

Sipas këtyre raportimeve Fitore Mehmeti, motra e Festim Mehmetit, kandidat i partisë Guxo në zgjedhjet lokale, ka marrë postë të rëndësishëm diplomatik.

Me gradën diplomatike, Sekretare e Parë, Mehmeti është caktuar të shërbejë në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Strasburg të Francës.

Të mërkurën, gazeta ka raportuar se Hashim Sahiti, vëllai i ish-kandidates së Lëvizjes Vetëvendosjes, Samire Sahiti, ka marrë pozitë të rëndësishme diplomatike në Ambasadën e Kosovës në Doha të Katarit.

Kurse të martën, gazeta ka publikuar vendimin që Lumturie Lipoveci, tezja e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Krenare Çerkini, është emëruar në një pozitë diplomatike në Ambasadën e Kosovës në Hagë të Holandës.

Sipas vendimit, të siguruar nga gazeta Nacionale, Lipoveci është caktuar të shërbejë në Ambasadën e Kosovës në Hagë me gradën diplomatike ‘Këshilltare’, për një mandat katërvjeçar.

Po ashtu, gazeta ka treguar se ish-anëtari i Kryesisë së Listës Guxo në Mitrovicë, Njazi Ajvazi, është emëruar në pozitën e Sekretarit të Dytë në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Kopenhagë të Danimarkës.

Ditë më parë, gazeta ka raportuar se Rina Dragidella, mbesa e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është emëruar në pozitën e Sekretares së Dytë në Ambasadën e Kosovës në Uashington.

Pozitë të rëndësishme diplomatike ka marrë edhe Fitore Dalipi, vajza e axhës së Luan Dalipit, ish-shefit të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti.

Ajo është emëruar Sekretare e Dytë në Ambasadën e Kosovës në Berlin.

Gjithashtu, Vera Rexhepi Leci, është emëruar konsulle e Kosovës në IOWA të ShBA-së.

Vera Rexhepi Leci është bashkëshortja e Burim Lecit, bashkëpunëtorit të Luan Dalipit, ish-shefit të kabinetit të Kurtit.