Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar për erëra të fuqishme dhe ndryshime të motit gjatë ditëve në vijim.
Sipas parashikimit, e enjtja pritet të jetë dita më e paqëndrueshme e javës.
Sipas parashikimit për periudhën 18–20 nëntor, temperaturat do të mbeten relativisht të larta për këtë periudhë të vitit. Megjithatë, pritet të ketë erëra të fuqishme dhe reshje të herëpashershme shiu.
Të mërkurën, më 18 nëntor, temperaturat do të lëvizin nga 9 gradë Celsius në mëngjes deri në 16 gradë gjatë ditës. Vranësirat do të shtohen gradualisht dhe mund të ketë reshje të lehta shiu. Era do të jetë e dobët deri mesatare, por pritet të forcohet gjatë mbrëmjes.
Të enjten, më 19 nëntor, pritet mot më i paqëndrueshëm. Temperaturat do të arrijnë nga 15 deri në 18 gradë Celsius, por gjatë ditës do të fryjnë erëra të fuqishme nga jugu dhe jugperëndimi, me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë. Erërat mund të jenë edhe më të forta në disa momente, veçanërisht nga mesdita deri në mbrëmje.
Gjatë së enjtes priten edhe reshje të lehta shiu me ndërprerje. Në fund të ditës, kalimi i një fronti atmosferik pritet të ndryshojë drejtimin e erës.
“E enjtja është dita më e paqëndrueshme e javës dhe ajo që kërkon vëmendjen më të madhe. Temperaturat arrijnë kulmin e ngrohtësisë, rreth 15-18 °C, vlera të larta për mesin e nëntorit. Presioni zbret në nivelin më të ulët, rreth 999 hPa. Elementi kryesor është era. Pritet erë e fortë nga jugu dhe jugperëndimi, me shpejtësi të vlerësuara 30-45 km/h dhe me rrebeshe të mundshme edhe më të forta. Ajo do të jetë më e ndjeshme nga mesdita deri në mbrëmje. Gjatë ditës priten edhe reshje të lehta me ndërprerje, rreth 1 mm për çdo tre orë, ndërsa nga fundi i ditës kalon një front atmosferik që ndryshon drejtimin e erës”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
