“Politikë, jo drejtësi”: Dënimi i dytë i Thaçit shkakton valë reagimesh ndaj Speciales

Aktgjykimi me të cilin Gjykata Speciale në Hagë e dënoi të martën ish-presidentin Hashim Thaçi me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë ka shkaktuar valë reagimesh të ashpra në Kosovë. Krerët e PDK-së, organizatat e dala nga lufta dhe aktivistët e cilësuan vendimin politik.

I pari që e kundërshtoi ishte vetë Thaçi. Pasi gjyqtari Christopher Gosnell shqiptoi dënimin, ai tentoi të merrte fjalën, por nuk iu dha. “Kjo është politikë, nuk është drejtësi”, u dëgjua të thoshte ndërsa ulej.

Më pas, në faqen e tij në Facebook u publikua mesazhi “Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër!”, një citat i tij i vitit 2023, të cilin e ripublikoi edhe i biri, Endrit.

PDK: “E turpshme, e papranueshme”

Reagimi më i fortë politik erdhi nga PDK-ja, partia që Thaçi themeloi.

Ushtruesja e detyrës së kryetares, Vlora Çitaku, e quajti vendimin “të turpshëm” dhe “të papranueshëm”, duke thënë se proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare kanë thelluar dyshimet për paanshmërinë e gjykatës. Ajo paralajmëroi “veprime konkrete politike, juridike e diplomatike”.

Ish-kryetari Bedri Hamza shkroi se Thaçit mund t’i mohohet liria, por jo vendi i “kryeprotagonistit të historisë së Kosovës”, dhe shprehu shpresë se Apeli do t’u japë fund padrejtësive. Edhe ish-kryetari tjetër, Memli Krasniqi, foli për “edhe një verdikt të turpshëm”.

Uran Ismaili tha se mentaliteti i kësaj gjykate është “dënimi me çdo kusht”. Deputetja Ariana Musliu-Shoshi paralajmëroi që pafuqia të mos kthehet në heshtje, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, shkroi: “Kokën lart çlirimtar!”

Organizatat e luftës: “Gjykatë politike”

OVL-UÇK e cilësoi vendimin “të pritshëm, por të papranueshëm”, duke pretenduar se gjykata u shërben interesave të Serbisë dhe aleatëve të saj. Xhavit Jashari, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, e quajti Specialen gjykatë politike dhe pyeti: “Ku janë institucionet e Republikës së Kosovës?”

Aktivisti Çlirim Haziri e krahasoi rastin me atë të Vojislav Sheshelit, duke thënë se Thaçi është dënuar me 12 vjet më shumë se politikani serb. Iniciativa “Jo në emrin tim” vendosi para zyrave të BE-së pankartën “Evropë, ku është drejtësia?”.

Jo të gjitha i fokusuan kritikat vetëm te Haga. Nasim Haradinaj, ish-zyrtar i OVL-UÇK-së i dënuar më herët nga e njëjta gjykatë për pengim të drejtësisë, i tha T7-s se PDK-ja nuk mund t’i zgjidhë këto çështje me statuse në Facebook.

Çka konstatoi gjykata

Sipas gjykatës, Thaçi u zbuloi vizitorëve në paraburgim, gjatë vitit 2023, informacione konfidenciale për dëshmitarë dhe përmes tyre u përcolli udhëzime se si të dëshmonin. Provat kryesore ishin incizimet e autorizuara të bisedave gjatë vizitave.

Mbrojtja e kontestoi deri në fund besueshmërinë e transkripteve. Ekspertja e saj gjuhësore i vlerësoi ato si pak të besueshme, ndërsa pranoi se nuk mund të pohonte që ishin të gabuara.

Aktgjykimi nuk ia dha Prokurorisë gjithçka që kërkoi. Ajo kishte propozuar gjashtë vjet për Thaçin; ai mori 17 muaj dhe u shpall i pafajshëm për dy pika. Isni Kilaj u lirua nga të gjitha akuzat, pasi provat nuk vërtetuan se ia kishte përcjellë udhëzimet dëshmitarit.

Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj, të konsideruar të shlyer me paraburgimin, ndërsa Hajredin Kuçi mori një muaj me kusht. Dënimi i Thaçit do të vuhet veçmas nga 25 vjetët e shqiptuar në shtator për krime lufte, vendim që është gjithashtu në shkallë të parë.