Ish-ministri Shala dënohet me dy vjet burgim për konflikt interesi

Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me dy vjet burgim ish-ministrin e Industrisë, Endrit Shalën.

Trupi gjykues i kryesuar nga Violeta Namani tha se nuk ka gjetur prova për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, por për konflikt interesi.

Shala akuzohej se i ka bërë favor baxhanakut, duke i mundësuar përfitim të kundërligjshëm të mbi 700.000 eurove.

“…ka nënshkruar, përkatësisht miratuar vendimin për emërim 01.Ref.nr.36, datë 30.05.2019, me të cilin Operatori ekonomik (OE) me emrin tregtar: N.Sh. ‘Euro Inspekt’ dhe emrin e biznesit: Valdet S Teneqja B.I. me NUI: 810117194 dhe NUI inspektues: 001, është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, e cila kompani është në pronësi të personit Valdet Teneqja, me të cilin i pandehuri ka lidhje krushqie, pasi të atë e ka baxhanak, me të cilin veprim i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të tij, realizim të interesit financiar, përkatësisht të dobisë pasurore si rrjedhojë e këtij vendimi të kundërligjshëm, në lartësi 732,642.283 euro”, thuhet në aktakuzë.

Shala ka qenë ministër nga radhët e NISMA-s në kohën e koalicionit PAN.