Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se nuk do të ketë rritje të normave të interesit për kreditë aktive nga bankat e Kosovës. Ai ka deklaruar se bankat tashmë e kanë marrë mesazhin për këtë çështje.
Megjithatë, ai s’ka përjashtuar mundësinë që normat e interesit të rriten për kreditë e reja, por ka thënë se BQK-ja po punon edhe këtu që të shmanget një ngritje e normave të interesit.
“Ne jemi duke bërë përpjekje si Bankë Qendrore, brenda mandatit tonë ligjor dhe kushtetues që të mos ketë rritje të normave të interesit në kredi e që më pastaj po e them që po punojmë që të rrisim konkurrencën pasi kjo është mundësia jonë që të mbajmë normën e interesit aty ku është. Një gjë që është me interes të potencohet është se a do të ketë rritje të normës së interesit në kredi për kreditë aktive. Në këtë kontekst siguroj që jo. Bankat e kanë kuptuar mesazhin qartë që janë të obliguar t’i zbatojnë kontratat dypalëshe mes palës dhe bankës. Për kreditë e reja, jemi duke punuar brenda mandatit tonë që të mos ketë rritje”, ka thënë ai për VoA.
Lidhur me sektorin bankar, Mehmeti ka thënë se vazhdon të jetë i kapitalizuar mirë.
Sipas tij, norma mesatare e interesit në kredi në Kosovë është 6.1 për qind.
Ai ka thënë se parashikimi për rritjen ekonomike më 2022 në Kosovë është rreth 3 për qind.