Molliqaj: Kurti po e konsolidon pushtetin, opozita po pret ftesa prej tij për presidentin

Lideri i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kritikuar ashpër opozitën në Kosovë, duke thënë se mungesa e veprimit po i hap rrugë kryeministrit Albin Kurti për të forcuar kontrollin mbi institucionet shtetërore.

Në një video-adresim, Molliqaj tha se vendimi për mandatin pesëvjeçar të udhëheqësit të Shërbimit Informativ të Kosovës është “vendimi më i rëndësishëm për pesë vitet e ardhshme sa i përket Shërbimit Informativ”, duke e paraqitur atë si pjesë të një tendence për nënshtrim institucional.

Ai kujtoi se si shefi aktual i këtij institucioni “i ka shërbyer kryeministrit Kurti për pushtetin e jo për shtetin e Kosovës”, duke përmendur edhe raste që e “fake news-a” ndaj Nacionales dhe Periskopit.

Kreu i PSD-së akuzoi opozitën se po pret oferta nga Kurti për çështjen e presidentit “Opozita po pret nga kryeministri ftesa për zgjedhjen e presidentit, ftesa për pjesëmarrje në qeveri. Me kësi opozite, ky kryeministër do t’i fusë në kontroll të gjitha institucionet”, deklaroi ai.