Tahiri i AAK-së: Era e zgjedhjeve po ndihet qartë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i ka komentuar zhvillimet e djeshme në Kuvend.

Ai ka bërë me dije se pushteti po e refuzon çdo iniciativë të opozitës.

Në profilin e tij në Facebook, Tahiri ka shkruar se era e zgjedhjeve po ndihet qartë.

Dje ishte një ditë dinamike, por mbi të gjitha dëshmi se institucionet tashmë po funksionojnë në frymën e përgatitjeve për zgjedhje. Pse? Në Kryesi, qasja e GP të VV-së ishte e ngurtë, pasi çdo iniciativë e opozitës po refuzohet. Rezoluta për vlerat e lirisë nuk u fut në rend dite si pikë e parë, qëndrim i pabesueshëm dhe dëshmi e standardeve të dyfishta. Kjo mungesë vullneti nuk është rastësi, por reflektim i kalkulimeve elektorale”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

Ndërkohë, proceset formale vazhdojnë: intervistimi për Gjykatën Kushtetuese përfundoi me 6 emra për seancë, ndërsa në Komisionin për Legjislacion u vendos që të martën të intervistohen 23 kandidatët për KGJK-në. Kur i sheh të gjitha bashkë, bllokadat, refuzimet dhe vonesat, është e qartë se fokusi nuk është më vendimmarrja, por pozicionimi politik. Era e zgjedhjeve po ndihet qartë”, ka shkruar Tahiri.