Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka deklaruar ndaj deklaratës së Ramush Haradinajt që ka kritikuar takimet e kreut të partisë me Albin Kurtin.
Lushaku-Sadriu ka thënë se këto interpretime nuk i shërbejnë dialogut ndërpartiak.
“Kërkesa e Kryetarit të LDK-së, z. Abdixhiku, për takim dhe diskutim me z. Haradinaj ka qenë një akt i zakonshëm i komunikimit politik dhe institucional, në funksion të dialogut dhe bashkëpunimit të nevojshëm në rrethanat aktuale.
Fatkeqësisht, në vend të një qasjeje që do të kontribuonte në frymën e bashkëpunimit, kemi parë interpretime që nuk i shërbejnë dialogut të domosdoshëm ndërpartiak. Besojmë se në momente të rëndësishme për vendin, komunikimi politik duhet të karakterizohet nga maturia, respekti reciprok dhe përgjegjësia publike”, thuhet në reagimin e saj.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur qartë qëndrimin e tij kundërshtues ndaj një takimi të mundshëm me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në një intervistë për RTV Dukagjinin të hënën, lideri i AAK-së u shpreh se nuk e sheh të arsyeshme të takohet me Abdixhikun për të diskutuar mbi atë që ky i fundit ka biseduar me kryeministrin Albin Kurti.
“Së pari, nëse Lumiri dëshiron me marrë rolin e zmadhuesit të Albinit le ta marrë… Unë s’mundem me shku me taku Lumirin me fol për çka ka fol ai me Albinin. S’është ka më intereson. S’është pjesë e imja. Le t’i grah ai tjetërkah. Ose Bedrinë, se Bedria e Lumiri kanë shkruar disa herë në takime…”, ka thënë Haradinaj në Debat Plus.
Ndërkohë, gjatë ditës Abdixhiku pas takimit me Kurtin, ka paralajmëruar vazhdimin e takimeve edhe me liderët e tjerë politikë, përfshirë AAK-në dhe PDK-në.
