Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Naim Sahitit, i cili akuzohet për veprat penale të shpëlarjes së parave dhe fajdesë.
Seanca është udhëhequr nga gjyqtari Kujtim Krasniqi, ndërsa të pranishëm kanë qenë palët në procedurë.
Të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat që u vihen në barrë. Nga ana tjetër, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka deklaruar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen me aktakuzë.
Sipas aktakuzës, Naim Sahiti së bashku me Ariton Sahitin janë të përfshirë në hetime të Prokurorisë Speciale, lidhur me dyshime për fajde dhe vepra të tjera pasurore, përfshirë edhe rastin e njohur që lidhet me familjen e Eroll Muratit.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Naim dhe Ariton Sahitit, babë e bir nga Komuna e Gjilanit, për rastin e fajdeve ndaj vëllait të Eroll Muratit.
Ky rast është përshkruar nga organet e rendit si një nga rastet më të mëdha të fajdesë të zbuluara nga Policia e Kosovës që nga përfundimi i luftës.
