Akt heroik: Gjilanasi shpëton gruan që ra me veturë në liqenin e Livoqit

Një qytetar nga Gjilani ka kryer një akt heroik, duke shpëtuar jetën e një gruaje e cila kishte rënë me veturë në Liqenin e Livoqit.

Faton Tahiri arriti të parandalojë një tragjedi, pasi hyri në ujë dhe nxori gruan nga vetura. Sipas raportimeve, ajo ishte shtatzënë.

Nga pamjet e shpërndara në rrjetet sociale shihet se vetëm pak çaste pasi gruaja u nxor nga uji, vetura u zhyt plotësisht në liqen.

Për këtë veprim të guximshëm ka reaguar edhe gazetari i Klan Kosovës, Enis Reçica, i cili i ka bërë thirrje kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, që ta nderojë qytetarin për aktin e tij heroik.

“E jashtëzakonshme dhe heroike ajo që bëri dje gjilanasi Faton Tahiri. Ai shpëtoi jetë, dhe shpëtimi i një jete, fetarisht, vlerësohet sikur të shpëtosh gjithë njerëzimin.

Ai arriti ta nxjerrë nga vetura një grua, e cila raportohet se ishte shtatzënë. Ajo humbi kontrollin e veturës dhe ra në Liqenin e Livoqit, në Gjilan. Vetëm pak sekonda pasi Fatoni e largoi atë nga vetura, ajo u fundos plotësisht.

Kryetar Alban Hyseni, ke mundësinë dhe nderin besoj, ta nderosh një hero me një vlerësim për qytetari aktive”, shkroi Reçica, duke i bashkangjitur edhe pamjet nga rasti në fjalë.