Ekstradohen nga Italia në Kosovë dy të dyshuar për vjedhje të rëndë dhe vrasje në tentativë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar me sukses ekstradimin nga Italia të dy personave të kërkuar me letër arrest ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës. Ekstradimet janë kryer në koordinim të ngushtë me njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet italiane.

Sipas Policisë, me 12 mars 2026 është ekstraduar i kërkuari A.B., i cili ishte i kërkuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Ndërsa më 13 mars 2026, është ekstraduar i kërkuari Xh.K., i cili kërkohej për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Të dy ekstradimet janë realizuar në përputhje me ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Kosovës dhe atyre italiane.

Pas mbërritjes në Kosovë, të dy të dyshuarit janë dorëzuar njësive policore përkatëse në rajonin e Prizrenit dhe Mitrovicës, ku do të vazhdojnë procedurat ligjore.