Një grup vullnetar i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka themeluar “Grupin e Gjelbër të Deputetëve”, me kryesues Haki Abazin.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Abazi, i cili përmes një njoftimi në Facebook ka treguar edhe fushëveprimin e këtij grupi vullnetar.
“Në bazë të nenit 74 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në përputhje të nenit 25 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, grupi i deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot Kryetarit të Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kemi paraqitur Njoftimin për Themelimin e Grupit Vullnetar ‘Grupi i Gjelbër i Deputetëve’.
Fushëveprimi i grupit vullnetar të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të quajtur ‘Grupi i Gjelbër i Deputetëve’ është:
1. Korniza ligjore e Republikës së Kosovës;
2. Agjenda e Gjelbër Evropiane;
3. Marrëveshja e Parisit për Klimën;
4. Traktati i Glasgow;
5. Konferenca e Palëve;
6. Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara;
7. Ndërlidhja me komisionet e përhershme dhe funksionale parlamentare;
8. Monitorimi i zbatimit të legjislacionit në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm;
9. Diskutimet me grupet e interesit dhe përfshirja në debatet publike;
10. Konsultimet me shoqërinë civile, qytetarët, grupet e interesit”, ka shkruar Abazi.
Ai ka shtuar se zgjerimi dhe përfshirja e deputetëve të tjerë, do të bëhet sipas interesit dhe paraqitjes së deputetëve tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.