Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se 30 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas Nagavcit, kërkesa ka të bëjë me Dekretin nr. 24/2026 të datës 6 mars 2026, të lëshuar nga Vjosa Osmani, që lidhet me shpërndarjen e Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Ajo ka bërë të ditur se përveç vlerësimit të kushtetutshmërisë, deputetët kanë kërkuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme, me qëllim pezullimin e zbatimit të dekretit deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.
“Në kërkesën tonë kemi theksuar se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit. Roli i Presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka shtuar se çdo veprim jashtë këtyre kufijve përbën tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe cenim të parimit të ndarjes së pushteteve, të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës së Kosovës.
Nagavci theksoi se në një shtet demokratik asnjë institucion apo zyrtar publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj, duke paralajmëruar se veprime të tilla rrezikojnë funksionimin demokratik të institucioneve.
Ajo ka bërë thirrje që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë çështjen me prioritet, në mënyrë që të jepet një vendim sa më i shpejtë dhe të parandalohet, sipas saj, çdo cenim i mëtejmë i rendit kushtetues dhe i parimit të ndarjes së pushteteve./Indeksonline
